Kryeministri Kurti i pranishëm gjatë mbjelljeve vjeshtore në Miresh
Gjilan, 13 tetor - Pas vendosjes së gur themelit të çerdhes në fshatin Miresh të Komunës së Gjilanit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci dhe Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, vizitoi dhe takoi bujkun Osman Osmani gjatë mbjelljeve vjeshtore.
Osman Osmani ka të mbjella 10 hektarë grurë dhe 10 misër. Krahasuar me vitin 2021 përkrahja qeveritare për mbjelljen e grurit është rritur për 216% për hektar, kurse për atë të misrit 119% për hektar.
Ai u shpreh i kënaqur me përkrahjen institucionale dhe me thjeshtësinë e procedurave për aplikim për mbështetje.
Politikat e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe mbështetja e Qeverisë është reflektuar në rritjen e sipërfaqeve të mbjella dhe në rendimentin për hektarë, tha kryeministri Kurti, teksa falënderoi të gjithë bujqit e fermerët, që me punën e tyre po punojnë gjithnjë e më shumë tokë të Kosovës dhe po nxjerrin gjithnjë e më shumë bukë për Kosovën.
Në vitin 2022 është rritur për 15.5% sipërfaqja e mbjellë me grurë dhe për 91% ajo me misër.
Ndërkaq, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, duke folur për politikat dhe veprimet e deritanishme të Qeverisë në mbështetje të bujqve dhe fermerëve, shprehu besimin e tij se deri në fund të mandatit do të kujdesen që mos të lënë tokë të punueshme në Kosovë pa e punuar.