Krushjanët bëhen me punëtori moderne për përpunimin e perimeve
Prishtinë, 31 maj - Hapet punëtori e re për përpunimin e perimeve në Krushë të Madhe të komunës së Rahovecit. Në ndërtimin e kësaj punëtorie për përpunimin e perimeve (specave dhe ajvarit shtëpiak), e cila do të funksionojë në kuadër të Kooperativës Bujqësore Krusha kanë kontribuar MBPZHR-ja, USAID/KPEP, OJQ Solidar Suisse, etj.
Ministri i MBPZHR-së, Blerand Stavileci, duke iu drejtuar fermerëve krushjanë tha se ndërtimi dhe funksionalizimi i kësaj punëtorie, ndikon në rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe në përmirësimin e procesimit.
Ndërtimi i kësaj punëtorie për përpunimin e perimeve hapë mundësi të reja për ngritjen e cilësisë nëpërmjet përmirësimit të procesimit dhe ndikon në ngritjen e prodhimtarisë së perimeve që ju i kultivoni, duke tejkaluar në këtë mënyrë disa prej problemeve që ne i patëm diskutuar së bashku gjatë vizitës sime në Krushë të Madhe, tha ministri Stavileci.
Ministria e Bujqësisë, shtoi ai, për zgjerimin e sipërfaqeve të reja me perimkulturë dhe për ngritjen e kapaciteteve në këtë nënsektor, përveç mbështetjes në mënyrë direkte, e cila në vitin 2010 arrinë në mbi 400 mijë euro, është duke investuar edhe në mekanizmin bujqësor dhe në infrastrukturën përcjellëse të prodhimtarisë së perimeve.
Gjatë këtij viti, për herë të parë do të mbështesim edhe prodhimtarinë e perimeve në fushë të hapur dhe buxheti fillestar që e kemi planifikuar për këtë nënmasë është rreth 650 mijë euro, përfundoi ai.
Ndërsa, Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ndërtimin e kësaj punëtorie e vlerësoj si një nga investimet më të qëlluara në komunën e Rahovecit. Është një nga investimet më të qëlluara në fushën e bujqësisë, i cili do të ndikojë pozitivisht edhe në zhvillimin e ekonomisë dhe në zbutjen e gjendjes sociale në komunën e Rahovecit. Kjo punëtori do të ndikojë në rritjen dhe fuqizimin e kapaciteteve prodhuese dhe procesuese dhe këto dy hallka do të ndikojnë në realizimin e më shumë të hyrave nga fermerët e kësaj ane, tha kryetari Latifi.
Ministri i MBPZHR-së, Blerand Stavileci dhe Kryetari i KK-së së Rahovecit, Smajl Latifi, pas përfundimit të ceremonisë për hapjen e punëtorisë për përpunimin e perimeve, e cila nga Ministria e Bujqësisë është mbështetur me 19.500 euro, kanë mbajtur edhe një takim të përbashkët, me çrast kanë diskutuar për problemet e komunës së Rahovecit në sektorin e bujqësisë (në veçanti për nënsektorin e vreshtarisë), dhe me qëllim të adresimit të problemeve në vendet e duhura dhe gjetjes së zgjidhjeve për tejkalimin e tyre, gjatë javëve të ardhshme do të organizohen takime të përbashkëta edhe me institucione tjera relevante.