22 Dhjetor 2024

Krijohet sistemi elektronik i regjistrit të fermerëve në Kosovë

Prishtinë, 18 prill - Përmbyllet projekti “Ngritja e Sistemit të Regjistrit të Fermerëve në Kosovë - EU FARM”, i cili është financuar nga BE-ja dhe është menaxhuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Regjistrimi i fermerëve dhe mungesa e të dhënave të besueshme janë disa prej problemeve më të mëdha me të cilat është duke u ballafaquar Ministria e Bujqësisë dhe sipas të pranishmëve, implementimi i këtij projekti jep kontribut të veçantë në këtë fushë.

Ministri i MBPZHR-së, Blerand Stavileci, tha se ky është edhe një hap përpara për fermerët tanë dhe për përafrimin e Kosovës në menaxhimin e subvencioneve dhe granteve investive, në përputhje me kërkesat për kontrollë që dalin nga Politikat e Përbashkëta Bujqësore të Bashkimit Evropian.

“Themelimi i sistemit elektronik për Regjistrin e Fermerëve të Kosovës është një prej hapave më të rëndësishëm në mbledhjen e të dhënave të kualitetit të lartë rreth grupeve të synuara dhe përfituesve nga sistemi i granteve dhe subvencioneve.

\"Të dhënat do të na ndihmojnë në përmirësimin e politikave tona duke i adresuar në mënyrë të drejtë nevojat e fermerëve dhe objektivat strategjike në modernizimin e fermave dhe në krijimin e sistemit të plotë në përputhje me Sistemin e Administratës së Integruar të Kontrollit, që është edhe një prej kërkesave të Bashkimit Evropian për të gjitha shtetet që pretendojnë të bëhen anëtare”, deklaroi Stavileci.

Ai tha se në këtë vit ministria është duke e praktikuar edhe sistemin LPIS për digjitalizimin e parcelave, në bazë të të cilit do të dihen saktësisht parcelat e fermerëve të cilët aplikojnë për të përfituar nga përkrahja e Ministrisë së Bujqësisë, e cila paraprakisht deklarohet prej vetë fermerëve dhe më tej regjistrohet në sistemin LPIS, ku do të dihen në detaje pastaj edhe lloji i kulturës bujqësore dhe kategoria e shfrytëzimit të tokës bujqësore.

Edhe zyrtarë të Agjencionit të Statistikave të Kosovës thanë se implementimi i këtij projekti ka bërë ndryshime të mëdha në të dhënat statistikore të Kosovës. “Gjatë kohës së implementimit të këtij projekti kanë ndodhur ndryshime rrënjësore në jetën statistikore të Kosovës.

\"Kemi pasur bashkëpunim të mirë me ekipin e projektit, me përfaqësuesit e MBPZHR-së dhe mendoj se projekti i ka përmbushur me sukses objektivat që i ka paraparë”, tha Bajrush Qevani, drejtor i Departamentit të Statistikave të Bujqësisë dhe Mjedisit.


Ai sqaroi se ky projekt e ka përkrah Agjencionin e Statistikave të Kosovës në komponentën e tij të dytë për ngritjen e kapaciteteve të Departamentit të Statistikave të Bujqësisë dhe Mjedisit për Aqui Communitare, në përputhje me kërkesat e EUROSTATIT për statistika.

Ndërsa, Arton Osmani nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë tha se ambienti në Kosovë nuk është optimal, mirëpo po bëhen përpjekje serioze për ta përmirësuar. “Projekti është financuar nga EU-ja me 1 milionë euro dhe është implementuar me kohëzgjatje pak më shumë se një vit.

\"Përkundër vështirësive fillestare dhe kohës së shkurtër për zbatimin e komponentëve të këtij projekti është arritur që në kohë rekorde të zhvillohet sistemi i regjistrit të fermerëve dhe të përgatitet stafi i ministrisë dhe komunave për përdorimin e tij”, potencoi Osmani.

Në bazë të kësaj praktike të punës, e cila përdoret në të gjitha vendet që janë kandidate potenciale për hyrje në BE, mundësitë për mashtrime dhe keqpërdorime janë shumë të vogla dhe në këtë mënyrë përshpejtohet edhe implementimi i granteve investive dhe subvencioneve nga ministria.

Në vitin e kaluar janë zënë gjithsej 2892 fermerë që kanë deklaruar rrejshëm sipërfaqet e mbjella dhe krerët e bagëtisë dhe krijimi i sistemit të regjistrit të fermerëve, përpos rëndësisë që ka për sektorin, do të shërbejë edhe për detektimin e fermerëve mashtrues.

Në këtë takim u ndan edhe 10 çertifikatat e para për fermerë dhe u bë e ditur se deri më tani për regjistrim kanë aplikuar rreth 15.700 fermerë dhe rreth 75% e aplikacioneve të tyre janë të vlefshme.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)