Kredia e BB për bujqësinë pritet të miratohet në seancën e ardhshme
Prishtinë, 8 nëntor - Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Blerand Stavileci dhe drejtoresha regjionale e Bankës Botërore, Jane Armitage, e cila ishte e shoqëruar edhe nga përfaqësuesi i Bankës Botërore në Kosovë, Jan Peter Olters, sot kanë mbajtur një takim të përbashkët për të diskutuar rreth finalizimit të kredisë në vlerë prej 20.15 milionë dollarëve, që Banka Botërore ka miratuar për sektorin e bujqësisë.
Rezultati i zbatimit të këtij projekti presim që të jetë rritja e konkurrencës në sektorin e bujqësisë, por shpresojmë që masat që do ti ndërmerrni do të rrisin shkallën e punësimit dhe do të përmirësojnë edhe standardin jetësor në zonat tuaja rurale, tha znj. Armitage teksa fliste për rëndësinë e këtij projekti.
Ndërsa, ministri Stavileci tha se kjo kredi do të shfrytëzohet më së shumti për grante investive dhe padyshim që këtë efekt pritet të prodhojë implementimi i këtij projekti.
Rreth 85% e vlerës së përgjithshme të kësaj kredie do të shfrytëzohet për skemën e granteve të zhvillimit rural, e cila synon ti përmirësojë aftësitë konkurruese të fermerëve dhe agropërpunuesve, tha ai.
Ratifikimi i kredisë së Bankës Botërore pritet të bëhet në seancën e ardhshme parlamentare dhe aprovimi i saj hap rrugë edhe për zbatimin e projektit të DANIDA-s, të miratuar nga MPJ e Danimarkës në vlerë prej rreth 10 milionë eurosh, nga të cilat po ashtu mbi 80% do të ndahen si grante investive.