Krasniqi: Shoqatat e fermerëve janë partnerë të MBPZHR-së
Prishtinë, 18 mars - Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi ka takuar sot drejtuesit e Bashkimit të Shoqatave Bujqësore të Kosovës, me të cilët ka diskutuar për Programin e sivjetshëm për bujqësi dhe zhvillim rural dhe Programin për pagesa direkte.
Në veçanti është biseduar për sektorin e shpeztarisë, perimtarisë dhe bletarisë.
Ministri Krasniqi tha se për këto sektorë sivjet ka më shumë mundësi pasi kriteret janë më lehtësuese dhe me e rëndësishmja është rritur buxheti.
Ministri tha se BSHPK-ja është një partner shumë i rëndësishëm i MBPZHR-së dhe shtoi se në vazhdimësi programet do të jenë rezultat i kërkesave dhe nevojave të sektorëve që mbështetë ministria, e që janë potencial për zhvillim ekonomik.
Ai premtoi edhe një herë se prioritet kryesor dhe i vazhdueshëm do të jetë rritja e transparencës dhe realizimi me efikasitet i programit.
Dhe për këtë, tha ai, duhet një angazhim i gjithanshëm, si nga institucionet, ashtu edhe nga shoqatat dhe fermerët.
Nga ana tjetër, Agim Sahiti si kryetar i BSHPK-së dhe përfaqësues tjerë të këtij institucioni falënderuan ministrin Krasniqi për përkrahjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm në hartimin e programit.
Ata treguan për rezultatet e deritanishme në sektorët që ata përfaqësojnë dhe folën edhe për sfidat me të cilat po përballen.
Kryetari Sahiti tha se do të punojnë ngushtë me MBPZHR-në, që këto sfida gradualisht të jenë pjesë e programeve për bujqësi dhe që edhe ata si shoqatë e fermerë të punojnë për ti tejkaluar.