Krasniqi në takimin e Ministrave të Bujqësisë të Evropës Juglindore
Prishtinë, 11 nëntor - Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi do të marrë pjesë nesër në takimin e nëntë të ministrave të bujqësisë të vendeve të Evropës Juglindore, në kuadër të Grupit Punues Drejtues për Zhvillim Rural Rajonal (SWG).
SWG është një organizatë ndërkombëtare ndërqeveritare, e cila përbehet nga institucionet qeveritare përgjegjëse për bujqësinë dhe zhvillimin rural në vendet e Evropës Juglindore.
Takimi do të mbahet në Tiranë nën patronatin e Ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti.
Pjesë e kësaj konference janë edhe ministra të bujqësisë të shteteve të rajonit, përfaqësues nga Komisioni Evropian, anëtarë të SWG-ve, përfaqësues të palëve të interesit, etj.
Në këtë takim do të diskutohet për bashkëpunimin mes shteteve të Evropës Juglindore në fushën e bujqësisë.