Krasniqi në Forumin Global për Bujqësi dhe Ushqim në Berlin
Prishtinë, 14 janar - Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi ka udhëtuar sot për në Gjermani, ku me ftesë të homologut të tij gjerman, Christian Schmidt do të marrë pjesë në Forumin Global për Ushqim dhe Bujqësi. Ky Forum mbahet në kuadër të Panairit ndërkombëtar International Green Week, në të cilin do të prezantohen edhe 12 kompani prodhuese dhe përpunuese nga Kosova.
Prezantimi i Kosovës në këtë panair po bëhet nën patronatin dhe me mbështetjen e MBPZHR-së, në bashkëpunim edhe me institucione të tjera vendore e ndërkombëtare.
Gjatë vizitës, ministri Krasniqi do të marrë pjesë edhe në Samitin Global të Ministrave të Bujqësisë, ku do të mbajë një fjalë rasti para homologëve të tjerë nga vende të ndryshme të botës.
Po ashtu, ministri Krasniqi do të marrë pjesë edhe në takimin e ministrave të bujqësisë të vendeve të Evropës Juglindore, në kuadër të Grupit Punues Drejtues për Bujqësi dhe Zhvillim Rural Rajonal (SWG), që do të mbahet po ashtu në Berlin. Në këtë takim do të marrë pjesë edhe Ministri i Gjermanisë për Ushqim dhe Bujqësi, Christian Schmidt si dhe Komisioneri për Bujqësi i Bashkimit Evropian, Phil Hogan.
Ministri Krasniqi gjithashtu do të ketë takime të ndara me homologët e tij nga vendet e rajonit dhe vende të tjera.