Krasniqi merr përkrahje nga BB për bujqësinë në Kosovë
Washington, 21 tetor - Banka Botërore do ta zgjerojë mbështetjen për Kosovën në fushën e bujqësisë, duke përkrahur sektorin në projekte që ndihmojnë në zgjidhjen e sfidave strukturore që kanë të bëjnë me ujitjen, infrastrukturën rurale, rritjen e punësimit në këtë sektor, konsolidimin e tokave dhe zhvillimin e agrobizneseve.
Kjo u konfirmua të hënën dhe të marten gjatë takimeve që Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi kishte me drejtues të Bankës Botërore dhe drejtues të disa departamenteve në këtë institucion të lartë ndërkombëtar.
Banka Botërore mbështetë Kosovën përmes Projektit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, nga i cili janë dhënë grante për fermerët, mbështetje në ngritjen e kapaciteteve njerëzore dhe fizike, konsulencë dhe aktivitete të tjera.
Ministri Krasniqi ndër të tjera ka takuar Franciscus Godts, drejtor ekzekutiv për 10 shtete në mesin e të cilave edhe Kosova, Juergen Voegele, drejtor i lartë për praktikat globale në bujqësi, drejtoreshën globale për bujqësi, Ethel Sennhauser, si dhe drejtues të departamentit për bujqësi dhe ujërave dhe ekspertë për ujitje, konsolidim të tokave, punësim në bujqësi dhe zhvillimin e agro bizneseve. Po ashtu, ministri Krasniqi ka takuar edhe menaxheren e programit në Fondin Global për Bujqësi dhe Siguri Ushqimore, Nichola Dyer.
Në takim me drejtorin ekzektuiv, Godts, ministri Krasniqi foli për të arriturat dhe sfidat në bujqësi në Kosovë, duke e vlerësuar atë si një nga sektoret që ka ndikuar dhe mund të ndikojë edhe më shumë në punësim dhe zhvillim ekonomik. Ai theksoi se bujqësia është një nga prioritet kryesore dhe nga ky vit janë rritur investimet, të cilat po japin rezultate. Ai shtoi se një zhvillim të madh bujqësia ka pasur edhe falë mbështetjes së donatorëve me projekte të ndryshme, në këtë rast edhe Banka Botërore. Ministri Krasniqi kërkoi që kjo mbështetje të zgjerohet edhe në aktivitete e nisma të tjera, qoftë në ofrimin e ekspertizës apo edhe mbështetje konkrete në programe të ndryshme.
Nga ana e tij, drejtori Godts i vlerësoi të arriturat në bujqësi në Kosovë dhe e konsideroi si tejet të rëndësishme faktin që ky sektor është prioritet i Qeverisë së Kosovës. Ai konfirmoi vazhdimin e mbështetjes, por edhe zgjerimin e saj në drejtime të tjera në bujqësi, me qëllim të avancimit të politikave bujqësore dhe tejkalimin e sfidave në këtë sektor.
Përkrahje për bujqësinë u rikonfirmua edhe në takimin që ministri Krasniqi kishte me Juergen Voegele, drejtor i lartë për praktikat globale në bujqësi, drejtoreshën globale për bujqësi, Ethel Sennhauser me të cilët ministri Krasniqi bisedoi gjatë për mundësitë dhe shembujt konkret të zhvillimit të bujqësisë. Në këtë takim u bisedua për hapa konkret që mund të ndërmerren në të ardhmën e afërt, me qëllim të zhvillimit më të madh të sektorit, duke rritur prodhimin, cilësinë e produkteve, hapjen e vendeve të reja të punës, e për të cilat Banka Botërore do të ofrojë mbështetje. Zyrtarët e lartë të Bankës Botërore ndërkaq shprehën përkushtimin e tyre që të mbështesin hapat që do të ndërmarrë Qeveria e Kosovës në avancimin e këtij sektori.
Në takimet me udhëheqësit e departamentit për praktikat bujqësore dhe ujërave, si dhe ekspertët e shumë fushave u bisedua për praktikat më të mira ndërkombëtare të aplikuara në këto drejtime. Ekspertët e Bankës Botërore premtuan mbështetje dhe konsulencë të vazhdueshme për Kosovën në projekte të këtyre fushave me qëllim të aplikimit të standardeve më të mira ndërkombëtare, por edhe që janë në përputhje me mundësitë që ka Kosova.
Gjatë vizitave në Bankën Botyërore, ministri Krasniqi ka takuar edhe menaxheren e programit në Fondin Global për Bujqësi dhe Siguri Ushqimore, zonjën Nichola Dyer me të cilën u bisedua për mundësitë që ofron ky fond për shtetet e ndryshme. Me këtë rast, ministri Krasniqi shfaqi interesimin për procedurat dhe kushetet që duhet plotësuar për të alokuar për fonde në projekte të ndryshme. Duke marrë konfirmin për mbështetje nga ana e menaxheres së këtij programi, ministri Krasniqi tha se Kosova do të aplikojë për grante në këtë fond, duke u orientuar në projekte të mëdha dhe konkrete që mund të sjellin punësim dhe zhvillim të agrobizneseve.
Zonja Dyer ka konfirmuar ndërkaq se Kosova mund të kualifiukohet për grante nga ky fond, nga ftesa që do të bëhet vitin e ardhshëm. Ministri Krasniqi do të zhvillojë takime edhe gjatë të enjtes me zyrtarë të lartë në Departamentin e Shtetit, si dhe drejtues të USAID.