24 Dhjetor 2024

Krasniqi: Mbështetje për sektorët potencial të bujqësisë në Istog dhe Junik

Prishtinë, 27 mars –Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi priti sot në takime të ndara, kryetarin e Komunës së Istogut, Haki Rugova dhe kryetarin e komunës së Junikut, Agron Kuçi. Në këto takime u bisedua për mundësitë që ofrojnë programet e ministrisë për mbështetje të fermerëve, dhe potencialet që kanë këto dy komuna në bujqësi.

Në takim me kryetarin e Istogut, ministri Krasniqi theksoi se sivjet në kuadër të programit mbështetës kanë paraparë rritje të përkrahjes përmes pagesave direkte dhe granteve investive për sektorin e pemëve, në të cilin janë të dalluar fermerët e kësaj komune, e të cilët do të përfitojnë nga kjo përkrahje e ministrisë.

Ai tha se për herë të parë pemëtarët e Istogut mund të marrin edhe subvencione për pemë, të cilat janë risi nga ky vit. Subvencionimi për pemë, do të jetë 400 euro për hektarë.
Ministri Krasniqi vlerësoi angazhimin e komunës së Istogut në bujqësi, angazhim ky që ka sjellë rezultate. Ai kërkoi që komunat edhe më shumë t’i japin prioritet këtij sektori, pasi ofron mundësitë më të mëdha për zhvillim dhe punësim.

Kryetari Rugova falënderoi ministrin për pritjen dhe për mbështetjen që ka dhënë MBPZHR-ja në vazhdimësi për fermerët e kësaj komune. Ai vlerësoi rritjen dhe zgjerimin e mbështetjes dhe premtoi angazhim edhe me të madh të komunës në mbështetje të fermerëve.

Edhe në takim me kryetarin e Komunës së Junikut, ministri Krasniqi foli për programet e këtij viti, dhe tha se me një mbështetje edhe nga komuna, fermerët e Junikut mund të zhvillojnë edhe me shumë bizneset e tyre në bujqësi. Ai tha se edhe në të ardhmen do të ketë rritje të mbështetjes.

Nga ana e tij, kryetari i Junikut, Agron Kuçi, e uroi ministrin për detyrën dhe e falënderoi ministrin për mbështetjen që MBPZHR-ja ka dhënë në vazhdimësi për zhvillimin e sektorit të bujqësisë në këtë komunë. Po ashtu ai e njoftoi ministrin për sfidat dhe problemet me të cilat përballen fermerët e kësaj ane, për tejkalimin e të cilave ai mori mbështetjen e ministrit.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)