KOSTT hap dyert në përkrahje të produkteve bujqësore vendore
Prishtinë, 5 shtator - Në vazhdën e promovimit të praktikave më të mira të përgjegjësisë shoqërore korporative si dhe përkushtimit për avansimin edhe më të lartë të imazhit të kompanisë, Operatori i Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), me mbështetjen e Komunës së Prishtinës dhe Komunës së Obiliqit do të organizojë aktivitetin “KOSTT sh.a hap dyert për tregun dy ditorë në përkrahje të produkteve bujqësore vendore”.
Ky aktivitet do të realizohet sot në kopshtin e selisë qendrore të KOSTT-it në Prishtinë si dhe njëkohësisht nesër në hapësirat e ekipeve të mirëmbajtjes në Obiliq.
Kjo do të krijojë mundësi duke lëshuar hapësirat pa pagesë për prodhuesit e ndryshëm të produkteve bujqësore vendore, që të ofrojnë produktet e tyre për shitje, për punonjësit e KOSTT-it si dhe për të gjithë qytetarët e interesuar, duke kontribuar në zhvillimin dhe shpërndarjen e kulturës së blerjes së produkteve vendore.
Në mënyrë që ky aktivitet të zhvillohet konform masave administrative dhe ligjeve në fuqi, KOSTT paraprakisht ka ndërmarrë të gjitha masat e duhura për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, duke u kujdesur që produktet nga prodhuesit pjesëmarrës, të jenë vendore, natyrale si dhe të posedojnë Certifikatën e Numrit Identifikues të Fermës-NIF Fermerët apo Prodhuesit konform Udhëzimit Administrativ NR.07/2011 për Regjistrin e Fermerëve.
Me këtë rast, KOSTT ka ftuar qytetarët dhe institucionet, që veprojnë në afërsi të KOSTT ti bashkohen iniciativës në përkrahje të produkteve vendore në mbështetje të praktikave më të mira evropiane, duke i shërbyer komunitetit si dhe duke i bërë pjesë të pandashme të objektivave tona dhe njëkohësisht duke promovuar përgjegjësitë shoqërore korporative.