24 Dhjetor 2024

Kosova shënon “pikën e kthesës” me certifikimin organik të produkteve

Prishtinë, 20 dhjetor - Në një ceremoni zyrtare sot në Prishtinë, 18 kompani kosovare u certifikuan për produktet e tyre organike. Certifikatat e lëshuara nga trupa certifikuese Albinspekt janë një dëshmi shtesë për cilësinë dhe besueshmërinë e produkteve të tyre të denja për tregun vendor dhe të eksportit.

Në ceremoninë e certifikimit të organizuar nga Shoqata e Produkteve Pyjore Jo-Drusore ORGANIKA morën pjesë Ministri i Pylltarisë, Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Nenad Rikalo, Stefan Butscher nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë, Sokol Stafa nga Albinspekt dhe përfaqësues të bizneseve dhe akterë të tjerë të këtij sektori.

Trendi për ushqime dhe produkte organike po përjeton një rritje shumë të shpejtë në Evropë dhe në mbarë botën. Etika e produktit organik ia rrit vlerën atij produkti dhe ka ndikim të drejtpërdrejtë tek perceptimi i blerësve. Ky trend ka filluar të ndjehet edhe në Kosovë që dëshmohet nga interesimi në rritje i kompanive dhe i kërkesës së konsumatorëve për produkte organike.

“Certifikimi organik për këto kompani është një arritje e madhe, që shënon pikën e kthesës për sektorin,” thotë Faton Nagavci, Drejtor Ekzekutiv i Shoqatës ORGANIKA. “Kërkesa për produkte organike në tregjet ndërkombëtare është shumë e madhe. Për kompanitë, investimi për ta arritur standardin që të marrin certifikatën organike është investim me kthim, pasi iu jep produkteve vlerën e besueshmërisë dhe hap rrugën për në tregje të eksportit”.

Aktiviteti për promovimin e certifikimit organik të kompanive në sektorin e produkteve pyjore jo-drusore dhe bimëve aromatike e mjekësore i ka kontribuar rritjes së cilësisë së produkteve vendore, rritjes së shitjes, qasjes në tregje të reja  të eksportit dhe krijimit të vendeve të punës. Ky aktivitet është implementuar nga Shoqata ORGANIKA, me mbështetje nga projekti Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat (PPSE), që financohet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim .

Shoqata ORGANIKA u themelua në vitin 2013 nga operatorë në sektorin e produkteve pyjore jo-drusore dhe bimëve aromatike mjekësore. Qëllimi i shoqatës është të përmirësojë bashkëpunimin ndërmjet palëve të interesit në këtë sektor dhe ta zhvillojë sektorin, duke promovuar produktet e Kosovës në tregje të eksportit.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)