23 Dhjetor 2024

Kosova shënon ditën e gruas fermere‏

Prishtinë, 5 dhjetor - Për herë të parë në Kosovë edhe gratë fermere e kanë ditën e tyre. Rreth 300 prej tyre të mërkurën ishin pjesë e manifestimit “Dita e Gruas Fermere”, në të cilin u diskutua për rolin e gruas dhe për rezultatet e arritura në sektorin e bujqësisë.

Në këtë manifestim, që sivjet është organizuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në bashkëpunim me UNDP-in, USAID-in dhe shoqatat e grave fermere, u zgjodhën edhe fermeret më të suksesshme në prodhimtarinë e sektorit të hortikulturës dhe në atë blegtorale, të cilave ju ndan edhe nga 5000 euro grante investive.

Ministri i Bujqësisë, Blerand Stavileci, ka treguar se përmes përkrahjes që kanë filluar ta japin për gratë fermere kanë arritur të bëjnë lëvizje pozitive dhe të shënojnë progres në fuqizimin e tyre, por sipas tij nevojitet një përkushtim edhe më i madh institucional.

“Gjatë këtij viti, për t’i inkurajuar gratë që të merren edhe më shumë me aktivitete ekonomike në vende agro-rurale, ne ju kemi krijuar mundësi dhe avantazhe në sistemin e poentimit, që të përfitojnë sa më lehtë grante investive për projektet e tyre të zhvillimit rural dhe kështu edhe ka rezultuar.

Këto ndryshime i kemi bërë dhe jemi duke i bërë për shkak se shumicës së grave në zonat rurale, përkundër faktit që janë të përfshira në aktivitete bujqësore të përditshme, ju mungon qasja në tregje dhe ju mungojnë mjetet financiare për të investuar”, ka theksuar ministri Stavileci.

Ai ka bërë të ditur se nga 9 fermere sa ishin përfituese të skemave mbështetëse në vitin e kaluar, sivjet janë bërë 150 gra fermere që kanë përfituar grante investive e subvencione dhe vlera e përkrahjes është gjashtëfishuar.

Ndërsa, sipas përfaqësueses së UNDP-së në Kosovë, Osnat Lubrani, përpara gratë fermere kanë edhe një rrugë të gjatë dhe të mundimshme për t’i thyer barrierat me të cilat ballafaqohen. “Përgjatë këtij rrugëtimi ne duhet të mendojmë mbi atë se si mundemi t’i eliminojmë barrierat me të cilat ballafaqohen gratë dhe investimi në gra është një gjë e rëndësishme për të arritur sukses në përparimin e ndërmarrjeve rurale”, tha ajo.

Në anën tjetër, përfaqësuesja e Grupit të Grave Deputete në Kuvendin e Kosovës, Teuta Sahatqija, ka kërkuar nga institucionet vendore dhe ato të huaja që të investojnë edhe më shumë në fuqizimin e grave në Kosovë.

“Në zhvillimin e sektorit të bujqësisë një rol të rëndësishëm e kanë edhe gratë dhe për këtë arsye investimi në gratë fermere, është i domosdoshëm sepse kështu krijohen mundësitë për punësimin e shumë grave tjera në këtë sektor”, tha Sahatqija.

Ndryshe, dy fermeret më të suksesshme u zgjodhën Selvete Fetahu nga fshati Sfeqël i komunës së Podujevës, e cila merret me kultivimin e lakrave, specave dhe me përpunimin e pemëve dhe perimeve, si dhe Vlora Xhemajli nga fshati Rrecaj i komunës së Gjakovës, e cila udhëheq një biznes për rritjen dhe shitjen e deleve dhe produkteve shtesë të nxjerra prej tyre.

Sipas të dhënave të Entit të Statistikave të Kosovës, me orar të plotë, jo të plotë dhe sezonal, të angazhuara në aktivitete bujqësore janë mbi 200 mijë gra. Ndërsa, ideja e nderimit të grave fermere me një ditë të veçantë është propozuar në Konferencën e Katërt Botërore të Grave në Pekin në vitin 1995.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)