Kosova prin në rajon për drunj
Prishtinë, 15 gusht - Kryeshefi i Agjencisë së Pyjeve të Kosovës, Ahmet Zejnullahu, ka deklaruar se Kosova në raport me sipërfaqen e përgjithshme tokësore ka mbulueshmëri pyjore prej 44-përqindësh, përkatësisht 466 000 hektarë me pyje. Prej kësaj sipërfaqe 60 për qind është në pronësi shtetërore apo 280 000 hektarë dhe 40 për qind apo 186 000 hektarë është pronë e sektorit privat.
Zejnullahu në bisedë për Epokën e re ka thënë se afër 93 për qind të pyjeve janë gjethore (dominojnë bungu dhe ahu), ndërsa pjesa tjetër janë halorë (dominojnë breu, hormoqi dhe pisha).
Sipas tij, Kosova është ndër vendet e pakta të rajonit e cila i plotëson kërkesat për dru.
Në bazë të inventarizimit nacional të bërë në vitin 2003, konsiderohet se volumi i përgjithshëm i pyjeve të Kosovës me masë drusore është 53 milionë kub, ndërsa shtimi vjetor është afër 1. 200. 000 m3. Nëse i marrim për bazë të gjitha këto parametra, vlerësohet se Kosova është ndër vendet e pakta në rajon që i plotëson kërkesat me dru, ka thënë Zejnullahu.
Ai ka potencuar se në Kosovë ekziston një sipërfaqe e konsiderueshme e tokave pyjore të zhveshura nga 20-30 mijë hektarë. Pjesa më e madhe e këtyre sipërfaqeve janë të përshtatshme për pyllëzime apo për mbjelljen e fidanëve të reja, ka deklaruar Zejnullahu, duke bërë me dije se komunat më të pasura me pyje janë: Peja, Burimi, Deçani, Juniku, Dragashi, Shtërpca, Zubin Potoku, Podujeva dhe Dardana.
Sa i përket mbrojtjes së pyjeve, Zejnullahu është shprehur i pakënaqur.
Autoritetet komunale nuk kanë qenë të përgatitura për mbrojtjen e pyjeve dhe përpjekjet e tyre për mbrojtjen e pyjeve në komunat e tyre kanë qenë shumë të vogla dhe në shumicën e komunave kemi edhe përkeqësim të gjendjes për sa i përket mbrojtjes së pyjeve. 40 për qind e pyjeve publike dhe 29 për qind e pyjeve private u nënshtrohen aktiviteteve të pakontrolluara apo ilegale të shfrytëzimit dhe komunat më të prekura nga prerjet ilegale janë Ferizaj, Podujeva, Deçani, Mitrovica, Peja dhe Prishtina, kurse komunat e tjera janë më pak të prekura nga prerjet ilegale, është shprehur Zejnullahu.