Kosova po përfaqësohet në Antalya Expo 2016
Antali, 9 maj - Kosova është duke u përfaqësuar me pavijonin dhe kopshtin e saj në Antalya Expo 2016, e cila po mbahet në Antalya të Turqisë.
Në këtë ekspozitë, në të cilën po marrin pjesë më shumë se 50 shtete, Kosova nuk ka produkte për shitje, por në të vizitorët njoftohen me prodhimet bujqësore. Pjesë e këtij përfaqësimi është edhe video kampanja Mdon .. Smdon, lojë të cilën dikur e kanë luajtur fëmijët.
Për të kuptuar më mirë se si lindi ideja për kampanjën e prezantimit të Kosovës në EXPO2016, portali bujqësia.org, zhvilloi një bisedë me projektuesit e kësaj kampanjë Maden Grup dhe Agrocop, të cilët u shprehen: Tema e përzgjedhur nga ne ka qenë Mdon .. Smdon. Mdon..Smdon më së miri i prezantojnë lojërat e harruara të fëmijëve në natyrë. Shmangia nga natyra dhe afrimi me teknologjinë paraqet një epokë të re të zhvillimit të fëmijëve. Koha do ta shpalos më të mirën.
Më tej ata treguan si e kanë rregulluar pavijonin, në të cilin prezantohet Kosova. Ne pjesën jashtë pavijonit, oborri, është i shtrirë në një teren jo të rrafshët të mbjellë me lule të verdha Gazania Kiss Yellow si dhe trëndafila të bardhë Mona Lisa me të cilat vishet fasada anësore. Fëmijët (dy vajza nga Kosova të veshura në të bardha, me kurora në kokë) në hyrje i mirëpresin vizitorët me kurora lulesh, të cilat janë të punuara në terren nga vetë ato. Ndërsa në pjesën e brendshme, pavijoni karakterizohet me vija të drejta, të cilat të orientojnë ngado që kalon. Brendësia e saj e përbërë nga katër mure të bardha të larta, dyshemeja e bardhë, nga perdet e bardha e transparente tregojnë çeltësinë dhe shpirtin e lirë, por në rastin tonë tregojnë botën e një fëmije të njomë, i cili nuk dinë shumë për botën e jashtme. Natyra me bukurinë e saj në këtë hapësirë është pasqyruar nëpërmjet televizionit të bardhë i vendosur mbrapa perdeve të bardha. Në televizion luhet një video, në të cilën ku paraqiten dy fëmijë të vegjël të cilët luajnë në hapësirën e natyrës të rrethuar me lule të verdha plot aromë. Ulëset nga të cilat mund të shikohet videoja janë të bardha nga plastika vetëm për një person e nga të cilat marrim një ndjenjë të ftohtë dhe e shikojmë sesi në këtë kohë jemi gjithnjë e më shumë të vetmuar sesa të rrethuar nga familja e nga shoqëria. Kjo reflektohet edhe në plafon i cili është i punuar me pasqyrë dhe ka vetëm katër drita të bardha. Përreth saj janë dritat LED të bardha ku perdeve transparente iu jep më shumë ndriçim. Vazoja, e cila është vendosur në mes të ulëseve është e bardhë dhe në të është vendosur një lule e verdhë plastike nga e cila nuk marrim jetën e natyrës e lëre më aromën e saj. Po që se shikojmë nga dritaret e larta dhe nga dera transparente shohim natyrën me bukurinë e saj e cila të magjepsë gjithnjë, po nga kjo brendësi shumë e bardhë ajo të duket shumë larg si një pikë në fund të tunelit, u shprehen nga MadenGROUP & Agrocop.
Ta përfaqësosh Kosovën në arenën ndërkombëtare është një kënaqësi që nuk mund ta përshkruash dot me fjalë e sidomos në moshën e Redita Limanit dhe Olsa Shehut, të cilat ndihen shumë të lumtura që janë pjesë e këtij prezantimi.
Për Redita Limani është një përvojë e paharrueshme dhe ndjehet krenare që përfaqëson shtetin e saj.
Një përvojë e paharrueshme. Ishte diçka shumë e re për mua por e shijova çdo sekondë të saj. Mendoj që kjo vizitë që e bëra më ndihmoi shumë për të komunikuar me njerëz të kulturave të ndryshme, por më së shumti, të kem nderin ta prezantojë shtetin tim në këtë fushë. Kosova nuk merr gjithmonë pjesë në aktivitete të këtij lloji por mendoj që ky është një hap i madh për shtetin tonë sepse ne kemi arritur ti lëmë mbresa shumë njerëzve të vendeve të ndryshëm dhe kemi marrë shumë reagime pozitive, thekson Redita.
Më tej ajo thekson se: Vetë tema që e kemi paraqitur tregon fëmijërinë e mëparshme dhe lumturinë e pafund të fëmijëve. Shpresoj që sadopak kemi ndikuar në veprimet dhe sjelljen e njerëzve ndaj natyrës sepse tek e fundit, vet ne jemi pjesë e saj. Expo 2016 ishte një udhëtim që më dha njohuri, pak lodhje por në të njëjtën kohë, kënaqësi dhe krenari ndaj shtetit tim.
Edhe Olsa Shehu nuk ngurron të shpreh atë që e ka përjetuar, atë që e ka bërë të ndihet e lumtur dhe e privilegjuar. Unë jam ndjerë shumë e privilegjuar që kam qenë pjesë e ekipit prezantues të pavijonit të Kosovës në Expo 2016 në Antalya. Edhe më mirë jam ndjerë kur kemi biseduar me vizitorët dhe kemi marrë vetëm kritika pozitive.
Ndërsa, Kosovën në Expo2016, po e prezanton edhe e dërguara nga MBPZHR, Vesa Pakashtica, e cila i njofton vizitorët rreth Kosovës etj.
Vesa për portalin bujqësia.org tregon përvojën e saj gjatë prezantimit të Kosovës. Kur vizitorët turq hyjnë në pavijonin tonë fjala e parë që thonë është HUZUR që është fjala me e bukur turke që përdorin turqit kur përshkruajnë diçka, e që në shqip do të thotë paqe ose qetësi, diçka shumë e bukur, shprehet Vesa.
Mesazhi që përcjell pavijoni ju pëlqen, por, ajo që kërkojnë prapë është diçka që karakterizon vendin tonë. Ne kemi librat, që përshkruajnë tokën tonë, të cilët promovojnë më se miri bujqësinë e vendit tonë, thekson Vesa.
Me tej Vesa shton se libri Pure Kosovo, që tregon për bukuritë natyrore të vendit tonë, edhe pse ndoshta jemi pavijoni i vetëm që nuk shesim gjera tradicionale apo produkte të vendit tonë.
Ajo po ashtu thekson se pavijoni i Kosovës është një ndër më të vizituarit: Pavijoni i Kosovës gjithmonë ka vizitorë, ku shpesh edhe përfaqësuesit e vendeve të tjera me kane pyetur çfarë po shet në pavijoni.
Vizitorët turq kryesisht janë të njohur për vendin tonë, për kulturën, traditën tonë ajo që promovojë me shumë te ta është bujqësia dhe kulturat që ne kultivojmë si vend, vizitorët turq janë ata që edhe ndoshta qëndrojnë me shumë në pavijonin tonë, shpesh herë mendojnë se jam turke derisa sa shohin emrin tim edhe befasohen ju vjen shumë mirë që flas gjuhen turke, kanë respekt shumë të madh, me bëjnë të ndjehem si në vendin tim. Ndodh që kemi vizitorë që nuk kanë dëgjuar asnjëherë për Kosovën, shprehet Vesa.
Pavijonit të Kosovës nuk i mungon as ndihma e vullnetmirëve, përkrah Vesës është edhe një turk i cili i është angazhuar nga Institucionet turke për ti përkrahur pavijonet e shteteve të ndryshme. Në pavijonin e Kosovës është Mehmet Recep Gule, i cili mundohet tu shpjegon për atë me çfarë prezantohet Kosova.
Ky është një vizitorë nga Japonia i cili nuk ka dëgjuar asnjëherë për vendin tonë dhe në fakt pasi i kam treguar për kulturën traditat tona është impresionuar.
Në këtë foto shihet pjesa e jashtme e pavijonit tonë ku organizatoret e expos kanë vendosur që edhe pavijonet e tjera të duken si i yni por shkrimet e tyre do të jenë sipas temës që përmban pavijoni i tyre.
Është një ndër prej pavijonet ku njerëzit bëjnë më se shumti foto.
Ndërsa, Dafina Aliu, bashkëshoqëruese e Vesës, e cila po merr pjesë si vullnetare nga Kosova në këtë panair përbujqesia.org shprehet: Ndërkombëtarizimi i vendit tonë nuk ka të ndalur si në aspektin kulturor, sportiv, politik e artdashës. Edhe ky panair tregon qartë se shteti i Kosovës sot është prezent në shumicën e eventëve me rendësi të veçantë. Evente të cilat për çdo ditë e me shumë po e bëjnë vendin tonë me të njohur e me të begatë në mbarë botën. Ajo më tutje shton se për të nuk është hera e parë që merr pjesë në evente të tilla në Turqi. Ajo së bashku me Vesën në vitin 2015 ka përfaqësuar vendin në Samiti Ndërkombëtar i Studentëve i quajtur GOBI, një samit i mundësive globale për biznes dhe investime.
Gjithashtu edhe ndihma për këtë projekt dhe për ta prezantuar Kosovën në Expo2016 nuk ka munguar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, e cila vazhdimisht po mundohet si në Kosovë po ashtu edhe jashtë të ju ofroj ndihmë bujqve dhe sa më mirë për ta prezantuar Kosovën në arenën ndërkombëtare.
Shkelzen Dragaj, këshilltar politik në MBPZHR, për portalin bujqësia.org, tha: Ne po e promovojmë atje rininë dhe mundësitë tona natyrore që kemi, qoftë në turizëm malor por edhe në bujqësi. Në këto është gërshetuar edhe arti bashkëkohor, pra këto dy elemente prezantohen përmes një projekti bashkëkohor që po bën përshtypje të madhe tek vizitoret.
Ai po ashtu theksoi rëndësinë e hapjes së pavijonit të Kosovës në Antalya të Turqisë. Hapja e këtij pavijoni është e një rëndësie të veçantë sepse për shumë kohë sa do të jetë i hapur Kosova do të jetë në sytë e qindra mijëra vizitorëve. Expo Antalya do të ketë miliona vizitorë nga e mbarë bota dhe kjo na bën edhe më të lumtur për këtë prezantim. Ne po përgatitemi që të organizojmë në javët në vazhdim Ditën Nacionale të Kosovës në Expo2016. Jemi ende në fazat e para të përgatitjes së programit gjatë gjithë ditës dhe aty do të prezantohet edhe më shumë kultura, bujqësia dhe identiteti ynë shtetëror, theksoi z. Dragaj.
Dragaj po ashtu theksoi edhe ndihmën e MBPZHR-së: Ministria është bartëse e projektit dhe financuese e këtij prezantimi të shtetit. Ne jemi marrë me gati secilin detaj, natyrisht me ndihem edhe te bashkëpunëtorëve tjerë.
Ekspozita Expo2016 do të jetë e hapur deri në tetor, ku shumë vizitor do të kenë mundësi të njehën me ato çfarë po prezanton Kosova. (Shkëlzen Rrecaj / bujqesia.org)