Kosova nuk importon ushqime për kafshë nga Gjermania
Prishtinë, 12 janar - Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), përkatësisht Inspektorati i Blegtorisë dhe i Veterinës, po përkujdeset për kontrollin e cilësisë dhe përbërësve të ushqimit të koncentruar, për kontrollin e kushteve të ruajtjes dhe deponimit nga operatorët.
Sipas dispozitave ligjore, asnjë kontingjent i importuar apo i prodhuar në vend nuk lejohet të vihet në qarkullim pa analizat paraprake kimike dhe mikrobiologjike.
Zëdhënësi i MBPZHR-së, Adil Behramaj, ka bërë me dije se duke u bazuar në të dhënat që ka kjo ministri, asnjë nga operatorët e licencuar për prodhimin dhe tregtimin e ushqimit të koncentruar për kafshë dhe aditivë nuk importon nga Gjermania dhe shtetet perëndimore misër.
Kontrolli i fermave, teknologjitë e mbarështimit, mirëqenia e kafshëve etj., janë aktivitete të përhershme të MBPZHR-së dhe Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës (AUV). Në harmoni me dispozitat e legjislacionit vendor, në rast të gjetjes së shkeljeve, inspektorët aplikojnë masa ndëshkimore, siç janë: konfiskimi, asgjësimi, therja e kafshëve etj., ka deklaruar ai, duke shtuar se, nëse konstatohet se kafshët në fermë apo produktet e tyre përbëjnë rrezik për të tjerët, mund të merren vendime edhe për mbylljen e fermave, të cilave u ndalohet ta zhvillojnë aktivitetin e tyre derisa të konstatohet e kundërta.
Deri më tani shkalla e rrezikshmërisë, që vendi ynë të preket nga kemikati helmues i ushqimeve që është përhapur në Gjermani, është shumë e vogël, ka bërë me dije Behramaj.
Skandali me dyoksinë po përhapet në Gjermani. Për herë të parë është dëshmuar prania e kësaj lënde helmuese edhe te mishi i derrit. Ministria për Bujqësi në Hanover ka njoftuar se për këtë shkak do të theren dhe do të asgjësohet mishi i qindra derrave. Deri tani dyoksina ishte dëshmuar vetëm te pulat dhe vezët.
Shumica e rreth 5 000 fermave, për të cilat dyshohej se kanë përdorur ushqime të helmuara me dyoksinë, mund ti shesin sërish prodhimet e tyre, por 560 ferma edhe më tej mbeten të mbyllura. Dëmet e deritanishme nga skandali me dyoksinë kapin shumën rreth 100 milionë euro. Gjithashtu, janë paraqitur edhe kërkesat e para për dëmshpërblime.
Gazeta EPOKA E RE