22 Dhjetor 2024

Kosova nënshkruan Memorandum me Universitetin e Iowas në agrokulturë

Iowa, 20 shtator - Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci po qëndron për një vizitë zyrtare në Iowa të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku do të zhvillojë takime me përfaqësuesit më të lartë të institucioneve të këtij shteti.

Në kuadër të kësaj vizite, Ministri Faton Peci ka nënshkruar sot një Memorandum Mirëkuptimi me Universitetin e Shtetit të Iowas (ISU), të përfaqësuar nga Ann Marie VanderZanden, përfaqësuese për Programet Akademike në ISU, si dhe përfaqësuesin për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Fakultetin e Agrokulturës dhe Shkencave të Jetës, David Acker.

Memorandumi i Mirëkuptimit mes të dyja institucioneve parasheh ofrimin e mbështetjes për Kosovën në sektorin e agrokulturës dhe shkëmbimit të përvojave me ekspertët e Iowas, i cili njihet si njëri prej shteteve me bujqësinë më të zhvilluar në SHBA.  

Konkretisht përmes këtij memorandumi, Kosovës do t’i ofrohet ekspertizë për analizën e tokave bujqësore, konsolidimin e tokave bujqësore dhe përmirësimin e infrastrukturës rurale, si dhe ekspertizë në modernizimin e industrisë përpunuese të mishit dhe produkteve tjera bujqësore.

Me rastin e nënshkrimit të këtij memorandumi, Ministri Peci vlerësoi se ky bashkëpunim do t’i ndihmojë vendit për të adaptuar ekspertizën dhe përvojat më të mira bujqësore, përmes të cilave do të ndikohet zhvillimi dhe avancimi i sektorit të bujqësisë në Kosovë sipas modelit të Iowas.

“Duke pasur parasysh që Iowa për Kosovën është ndër shembujt kryesorë për zhvillimin e bujqësisë, nënshkrimi i memorandumit të sotëm do të ketë një impakt të madh për  bujqësinë kosovare, pasi që përmes formave konkrete të bashkëpunimit ekspertë të Iowas do të kontribuojnë në avancimin e sektorit sipas praktikave më të mira bujqësore, duke nxitur kështu kontributin e bujqësisë në zhvillimin ekonomik të vendit”, ka theksuar Ministri Faton Peci.

Në anën tjetër, përfaqësuesja për Programet Akademike në ISU, Ann Marie VanderZanden dhe përfaqësuesi për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Fakultetin e Agrokulturës dhe Shkencave të Jetës, David Acker, theksuan ky memorandum do të nxisë edhe më tej bashkëpunimin mes  Kosovës dhe Iowas, përmes projekteve konkrete dhe intensive në dhënien e ekspertizës në sektorin e agrikulturës në Kosovë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)