Kosova me rendimente rekorde të grurit në rajon
Prishtinë, 10 korrik - Në fshatin Suhadoll të komunës së Lipjanit, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga ministri i Bujqësisë Blerand Stavileci dhe kryetari i Lipjanit, Shukri Buja, ka shënuar sot simbolikisht fillimin e fushatës së korrje-shirjeve në Republikën e Kosovës.
Rendimentet e grurit në fushatën e sivjetme të korrje-shirjeve, ashtu sikurse në vitin e kaluar, Kosovën përsëri po e rendisin në njërin nga vendet e para në rajon për rendimente të larta në prodhim.
Sivjet fushata e korrje-shirjeve, si rezultat i kushteve të favorshme klimatike ka filluar më herët se vitin e kaluar dhe deri më tash, sipas të dhënave të komisioneve komunale, janë korrur rreth 30 për qind e sipërfaqeve të mbjella me grurë.
Edhe sivjet është një rekord me rendimentet e grurit në Republikën e Kosovës. Unë i uroj gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, bujqit kosovarë për këtë sukses. Është fat që edhe koha është jashtëzakonisht e mirë, një kohë e përshtatshme dhe përgëzoj gjithë njerëzit që merren me bujqësi, theksoi kryeministri Thaçi, duke shtuar se Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë të qëndroj afër tyre me mbështetjen maksimale.
Kosova po shndërrohet me të vërtetë në një hambarë të fuqishëm, prandaj jam këtu që ti inkurajoj edhe më tutje bujqit kosovarë por edhe të zotohem që Qeveria e Republikës së Kosovës do ti rrisë përgjegjësitë edhe më tepër që të jetë sa më afër bujqve në mënyrë që të kemi suksese të reja vazhdoi kryeministri Thaçi.
Ndërsa, ministri Stavileci tha se gjithnjë e më shumë po vërehen përparimet dhe se edhe në këtë vit fermerë tanë po i korrin frytet e punës së tyre të vyeshme, e cila ka nisur që nga vjeshta e vitit të kaluar.
Sivjet janë rritur sipërfaqet e mbjella me grurë me rreth 6 mijë hektarë të rinj. Kemi rreth 9 mijë fermerë që e mbjellin këtë kulturë, që kanë përfituar pagesa direkte prej 100 eurosh për hektarë dhe tash jemi duke i subvencionuar edhe në derivate të naftës, deklaroi Stavileci.
Ai tha se kjo po ndikon që të shtohet edhe prodhimtaria vendore dhe se po i detyron dhe obligon që viteve të ardhshme të kujdesen edhe më tepër. Besojmë se me këtë rezultat, me këtë angazhim të përbashkët të të gjithë neve, viteve të ardhshme do të kemi edhe më shumë projekte dhe programe për ti mbështetur fermerët e vendit tonë, përfundoi Stavileci.
Në anën tjetër, edhe fermeri Valon Vehapi ishte i kënaqur me rendimentet që po i arrin. Ai tregoi se ka të mbjellë 70 hektarë me grurë dhe se rendimentet mesatare sillen prej 5500-6000 kilogram për hektarë.
Mund të them se ky vit sdo të harrohet për një kohë të gjatë tek fermerët. Ishte një vit i mirë, bimët janë të shëndosha, kushtet atmosferike kanë qenë shumë të mira për rritjen e grurit dhe falënderoj edhe Qeverinë për mbështetjen që u ka dhënë fermerëve, tha Vehapi, i cili tregoi se ka përfituar 7 mijë euro subvencione për sipërfaqet që ka mbjellë me grurë.
Rendimentet mesatare në nivel vendi, sipas përllogaritjeve fillestare, po sillen në rreth 4 mijë kg për hektarë. Ndërsa, sipas raporteve të drejtorive komunale, sipërfaqe të mbjella me grurë në këtë vit janë gjithsej 83.875 hektarë.
Mbjelljet vjeshtore të grurit janë përkrahur me mbi 3.6 milionë euro nga Ministria e Bujqësisë, kurse fushata e korrje-shirjeve është duke u mbështetur me 500 mijë euro.