22 Dhjetor 2024

Kosova me 120 000 hektarë parqe nacionale

Prishtinë, 9 nëntor - Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme aprovoi propozim ligjet për Parkun Kombëtar të Maleve të Sharrit dhe të Bjeshkëve të Nemuna.
 
Këto projektligje janë pjesë e infrastrukturës së re ligjore në fushën e mjedisit dhe planifikimit hapësinor.

Bjeshkët e Nemuna kanë vuajtur nga mungesa e kornizës ligjore bazë për mbrojtjen institucionale dhe zhvillimin e këtij resursi të çmuar. 

Kjo zonë me bukuri të veçantë natyrore fatkeqësisht i është nënshtruar shkatërrimit  nga ndërtimet e egra, të cilat kanë përkeqësuar dëmet nga prerja ilegale e pyjeve.

Me miratimin e këtij Ligji, Kosova do ta ketë parkun e dytë kombëtar.  Sipërfaqja e Parkut Nacional “Bjeshkët e Nemuna” arrin në 62’000 hektar.
 
Projektligji  për Parkun Kombëtar “Sharri” ishte i nevojshëm sepse mbrojtja e kësaj zone ka qenë e penguar nga mos harmonizimi i ligjit të vitit 1986 me dispozitat e sotme; dhe me këtë Ligj Parkut Kombëtar  “Sharri” i shtohen mbi 20 000 hektarë që i takojnë komunës së Dragashit.
 
Më këto propozime vendi ynë përmbushë standardet evropiane që obligojnë shtetet anëtare të shpallin zonë të mbrojtur natyrore së paku 10% të territorit të tyre.
 
Rëndësia e tyre është shkencore dhe arsimore, përveç rëndësisë së qartë turistike dhe rekreative.

Ngritja e kapaciteteve turistike është një rast ideal për tërheqjen e investime të reja nga Kosova dhe nga jashtë.
 
Brenda territoreve të parqeve ekzistojnë tre kategori të mbrojtjes:
 
1.      Zona e parë e aplikimit të rreptë, ku nuk lejohet asnjë intervenim nga njeriu;

2.      Zona e dytë, ku lejohen disa zhvillime të kufizuara, gjithnjë në përputhje me ligjet në fuqi dhe;

3.      Zona e tretë, ku lejohen zhvillime të caktuara dhe që nuk e dëmtojnë mjedisin.
 
Zonat e treta të këtyre dy parqeve nacionale do të jenë zona ku do të zhvillohet turizmi, rekreacioni dhe aktivitetet tjera të cilat do të ndikojnë në zhvillimin ekonomik të atyre pjesëve.

Të dy këto projektligje janë në harmoni të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Projekt Ligjet janë hartuar në harmoni me Ligjin për Mbrojtjen e Natyrës dhe standardet e Bashkimit Evropian.  

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)