Kosova ka kapacitete të mjaftueshme për grumbullimin e mjedrës
Prishtinë, 19 gusht - Nuk ka vështirësi në grumbullimin e mjedrës nga pikat grumbulluese që janë në gjithë territorin e vendit.
Edhe në rastet kur disa qendra në disa rajone të caktuara mund të kenë vështirësi në grumbullim, ka kapacitete të mjaftueshme nëpër komunat tjera dhe ato janë të gatshme ta pranojnë prodhimin nga fermerët.
Sidoqoftë, edhe nëse paraqiten vështirësi grumbullimi, ruajtja apo ftohja mund të bëhet edhe në fabrika të tjera të përpunimit të pemëve.
Këto u konstatuan sot, në takimin që Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi pati me përfaqësuesit e të gjitha qendrave grumbulluese të mjedrës në Kosovë, si dhe kryetarin e Shoqatës së Kultivuesve të Mjedrës, Sami Uka.
U konstatua se vështirësitë në grumbullim me kohë kanë qenë si rezultat i rritjes së prodhimit dhe sipërfaqeve me mjedra në nivel vendi, nga 400 hektar nga viti 2015 në mbi 1000 hektar këtë vit. Prodhimi këtë vit pritet të jetë rreth 5000 ton, me një vlerë prej rreth 8 milionë euro.
Në takim u diskutua për raportimet dhe zhvillimet e ditëve të fundit në grumbullim, por me theks të veçantë u bisedua edhe për sfidat e tjera që ndërlidhen me këtë segment, si dhe hapat që duhen ndërmarrë.
Ministri Krasniqi tha se qendrat grumbulluese janë një hallkë e rëndësishme e qëndrueshmërisë dhe rritjes së prodhimit dhe shitjes së mjedrës.
Ai tha se këto qendra janë mbështetur në vazhdimësi nga MBPZHR-ja në rritjen e kapaciteteve dhe kjo mbështetje do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Ministri shtoi se bashkë me shoqatën e kultivuesve, por edhe qendrat grumbulluese do të hartohen politikat mbështetëse të ministrisë për vitet e ardhshme, duke theksuar se do të ketë një fokus në rritjen e kapaciteteve të grumbullimit, ruajtjes dhe përpunimit të mjedrës.
Nga ana e tyre, përfaqësuesit e qendrave grumbulluese falënderuan ministrin për gatishmërinë e treguar për të kaluar situatën, si dhe njoftuan për përgatitjet dhe investimet që po bëjnë në rritjen e kapaciteteve të tyre grumbulluese.
Ata thanë se do të shtojnë bashkëpunimin mes tyre në mënyrë që sektori të zhvillohet edhe më shumë.
Kryetari i Shoqatës së Kultivuesve të Mjedrës, Sami Uka shprehi falënderim për ministrinë që ka ndihmuar në lehtësimin e situatës dhe theksoi se si shoqatë do të kenë bashkëpunim sa më të madh me qendrat grumbulluese, por edhe do të punojnë në edukimin fermerëve.