Kosova ka humbur 20 mijë hektar tokë bujqësore
Prishtinë, 16 gusht - Që nga përfundimi i luftës, Kosova ka humbur 20 mijë hektarë tokë bujqësore që janë nxënë me ndërtime të shtëpive, banesave, fermave duke i shndërruar tokat e bukës në toka të betonta.
Procesi i shkatërrimit dhe dëmtimit të tokës bujqësore në Kosovë paraqet një problem serioz për sigurimin e ushqimit në të ardhmen, kur kemi parasysh shtimin e madh të popullsisë dhe zvogëlimin e sipërfaqeve të tokës së punueshme.
Sipërfaqja e tokës së punuar bujqësore është mjaftë e ultë, llogaritet të jetë rreth 0,15 hektar, për kokë banori.
Sipas standardeve ndërkombëtare minimumi ekzistencial për prodhimin e ushqimit të mjaftueshëm, kualitativ dhe lëndës së parë të nevojshëm për ekzistencën e popullsisë është 0,17 hektar për kokë banori, çka tregon për gjendjen alarmante në vendin tonë.
Vendi i cili ka humbë më së shumti tokë bujqësore nga komunat prinë Vushtrria me 1 mijë e 250 hektar tokë që nga pas lufta, pas saj vjen Mitrovica me 400 hektarë tokë, Ferizaj me 250, Gjilani me 200, Prizreni me 120, Istogu me 55 hektarë tokë të humbur dhe komunat e tjera.
Nga viti 1999 e deri në vitin 2009 në bazë dhënave nga Ministria e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, (MBPZHR), Kosova ka humbur 20 mijë hektar tokë bujqësore. Sipas Idriz Gashit, shef i Divizionit për Tokën Bujqësore në MBPZHR, e gjithë kjo ka ndodhur për shkak të lëvizjes së madhe të popullsisë nga zonat rurale në ato urbane, duke krijuar jo pak zona urbane në toka të bukës.
Këto sipërfaqe të zëna nga ndërtimet janë si efekt i shpërndarjes së popullsisë nga të katër anët nga zonat rurale në zonat urbane. Kjo humbje tokës bujqësore mundësisht duhet të jetë kualitetit më te dobët të pjellorisë.
Gashi thotë se edhe pse nuk ka statistika të sakta në Kosovë për çdo vit llogaritet të humbet 400 deri në 500 hektar tokë bujqësore. Sipas tij çdo ndërtim në tokat bujqësore në mënyrë të pa planifikuar është shkelje ligjit dhe dështim i zinxhirit inspektor ndërtimi-inspektor i bujqësisë dhe gjykata.
Në bazë të raporteve të dërguara nga inspektorët qendror për tokën bujqësore, gjatë periudhës njëvjeçare të viti 2009 janë: 264 procesverbale, 148 aktvendime dhe janë dërguar në gjykata komunale për kundërvajtje 131 lëndë. Nga gjykatat komunale për kundërvajtje janë realizuar 9 aktvendime, tha Gashi.
Ai përmend katër sfida që përballet Kosova me humbjet e tokave. Sa i përket tokës bujqësore Kosova përballet më katër sfida kryesore :Humbjet e mëdha të tokës bujqësore nga ndërrimi i destinimit; Fragmentimi i tokës bujqësore në ngastra më të vogla; Ndotja industriale, degradimi, erozioni, gërryerjet e lumenjve, deponitë e kontrolluara apo te pa kontrolluara janë të vendosura në tokat bujqësore; Shfrytëzimi jo i qëndrueshëm i tokës bujqësore.
Sipas Gashit në bazë të disa statistikave 200 mijë familje ose më shumë se 1 milion banor tani janë duke jetuar në shtëpi të reja në tokat bujqësore të gjitha të ndërtuara pas vitit 1999.
Duke marr parasysh se Kosova ka 30 komuna kjo gjithashtu do të thotë se mesatarisht diku rreth 7 mijë shtëpi të reja janë ndërtuara në tokat bujqësore në çdo komunë.
Prandaj humbja e tokës bujqësore gjatë një viti arrin në 1 mijë hektarë. Kosova ka një sipërfaqe të përgjithshme prej 10 mijë e 887 kilometra katror.
Tokë bujqësore janë 577 mijë hektar, tokë pyjore 464 mijë e 800 hektar dhe të tjera 46 mijë e 900 hektar. Pronë private 88 për qind e tokës dhe pronë shtetërore 12 për qind e tokës, mbi 25 mijë hektar toke bujqësore e privatizuar.
Edhe ndërtimi i autostradës Morinë-Merdare parashihet të kaloi për një pjesë të madhe nëpër tokë bujqësore që normal do ta zvogëlojë tokën bujqësore.
Elhami Ismajli