Kosova fton kompanitë austriake për investime në bujqësi
Prishtinë, 29 shtator - Në një konferencë për promovimin e investimeve në Grac të Austrisë, Ministri i MBPZHR-së, Blerand Stavileci dhe Ambasadori i Kosovës në Vjenë, Sabri Kiqmari, kanë ftuar kompanitë austriake që të investojnë në sektorët e bujqësisë dhe pylltarisë në Kosovë.
Konferenca e organizuar nga Ambasada e Kosovës në Vjenë, qeveria e krahinës së Shtajermarkut, ECIKS dhe ICS ka grumbulluar në Grac kompani dhe ekspertë austriakë nga fusha e bujqësisë, përpunimit të ushqimit dhe pylltarisë, si dhe përfaqësues të Qeverisë së Kosovës dhe të Qeverisë së provincës austriake të Shtajermarkut.
Në fjalët e tyre hyrëse, Ambasadori i Kosovës në Vjenë, Sabri Kiqmari dhe përfaqësuesja e Qeverisë së Shtajermarkut, Eva Lipp, kanë ftuar kompanitë austriake të shfrytëzojnë përparësitë dhe potencialet që ofron Kosova në sektorin e bujqësisë dhe pylltarisë.
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Blerand Stavileci, në një përmbledhje më të detajuar të klimës së përgjithshme politike dhe investive në Kosovë, ka premtuar përkrahje nga Qeveria e Kosovës për investimet austriake dhe ka ftuar kompanitë austriake të vizitojnë Kosovën për ti identifikuar potencialet dhe përparësitë krahasuese për investime në sektorët e bujqësisë dhe pylltarisë.
Konferenca ka vazhduar me një panel diskutimi të përbërë nga ekspertë austriak dhe kosovarë. Përfaqësuesi i Nismës Ekonomike për Kosovën (ECIKS), Hamëz Morina, ka prezantuar para kompanive austriake shërbimet që ofron zyra e Agjencisë së Kosovës për Promovimin e Investimeve në Vjenë, zyrë kjo që menaxhohet nga ECIKS.
Ai ka ftuar investitorët potencial austriak që ti shfrytëzojnë shërbimet gratis të ofruara nga kjo zyrë.
Në panel janë prezantuar edhe kompani austriake që tashmë kanë investuar në Kosovë, duke sjellë përvojën e tyre praktike dhe duke u ofruar investitorëve potencial austriak këshilla dhe dëshmi që investimet në bujqësi në Kosovë janë të mundshme dhe fitimprurëse.
Gjatë ditës delegacioni i MBPZHR-së ka pasur edhe takime direkte me kompani austriake të interesuara për investime në Kosovë dhe ka vizituar edhe një kompani austriake në sektorin e përpunimit të ushqimit.
Ndërsa, nesër ministri Stavileci dhe homolugu i tij austriak do të nënshkruajnë në Vjenë edhe një Memorandum Mirëkuptimi për të thelluar edhe më shumë bashkëpunimin ndërshtetëror.