Kosova eksporton bimë mjekësore
Prishtinë, 25 janar - Kosova ofron shumë mundësi për të bërë investime në bimët mjekësore, të cilat rriten nëpër fushat e Kosovës. Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), bimët mjekësore që grumbullohen në Kosovë vetëm eksportohen dhe nuk përpunohen në mënyrë profesionale nga ndonjë operator i licencuar.
Zyrtari për Informim i MBPZHR-së, Adil Behramaj, ka bërë me dije se sektori i Bujqësisë Organike në Kosovë, ku përfshihen edhe bimët mjekësore, është në fazën fillestare të zhvillimit.
Aktualisht pak fermerë janë fokusuar në prodhimtari organike. Kushtet klimatike dhe tokësore, që mbretërojnë te ne, mundësojnë rritjen e shumë llojeve të bimëve mjekësore, mirëpo për shkak të specifikave të tyre dhe mungesës së njohurive elementare, konsumohen shumë pak dhe përpunohen disa lloje në mënyrë të thjeshtë dhe tradicionale, ka treguar ai, duke shtuar se këto bimë rriten edhe vetvetiu nëpër zona të ndryshme, por grumbullimi i tyre nuk bëhet shumë në mënyrë të organizuar dhe nga persona profesionalë.
Sipas të dhënave të Shoqatës për Bujqësi Organike të Kosovës (SHBOK), në mënyrë të organizuar mblidhen rreth pesë hektarë me bimë mjekësore, ka bërë me dije ai.
Behramaj ka theksuar se vitet e fundit ka pasur të interesuar për të investuar në prodhime farmaceutike, siç është rasti i prodhuesit farmaceutik Trepharm.
Behramaj ka thënë se si rrjedhojë e nevojës për bimë, ministria e ka rregulluar infrastrukturën ligjore dhe ka nxjerrë një udhëzim administrativ që e rregullon këtë çështje.
Grumbullimi i frutave të malit dhe bimëve mjekësore bëhet nga disa kompani-operatorë në Kosovë siç janë: Eurofruti në Mramor, Funfo FF në Kamenicë, Agroprodukt Commerce në Podujevë, Agroprodukt Syne në Istog, Hit Flowers në Dragash, Trimi në Isniq të Deçanit etj.
Gazeta EPOKA E RE