Kosova e Shqipëria me standarde të unifikuara për produktet bujqësore
Prishtinë, 15 janar - Kosova dhe Shqipëria do të kenë certifikatë të njëjtë të produkteve bujqësore, por krahas kësaj do të kenë edhe marrëveshje të tjera konkrete bashkëpunimi në fushën e bujqësisë, me qëllim të krijimit të një tregu të përbashkët të produkteve bujqësore.
Për këto dhe të tjera u pajtuan Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi dhe Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit te Ujërave të Republikës së Shqipërisë, Edmond Panariti, në një takim që realizuan sot në Prishtinë.
Ky takim ishte edhe si parapërgatitje për mbledhjen e dytë të dy qeverive, që do të mbahet në muajin mars në Tiranë. Ministrat Krasniqi e Panariti u pajtuan që deri atëherë ekspertë nga të dy ministritë të punojnë në hartimin e dokumenteve të nevojshme për nënshkrim.
Ministri Memli Krasniqi falënderoi homologun Panariti për bashkëpunimin e deritanishëm dhe shprehi vullnetin e MBPZHR-së që bashkëpunimi të thellohet dhe të jetë një angazhim i përbashkët për qëllime e projekte të përbashkëta.
Të dy palët mendojmë që raportet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë duhet të jenë shembulli më i mirë i bashkëpunimit rajonal për çka nuk ka asnjë dyshim dhe për çka përkushtimi i dy qeverive është i plotë dhe i dëshmuar tashmë edhe në periudhën e kaluar.\"
\"Ne biseduam edhe për disa hapa konkret, të cilat do ti ndërmarrim para mbledhjes së përbashkët të dy qeverive në mënyrë që objektivat tona të përbashkëta ti konkretizojmë edhe me dokumente qeveritare të cilat më pas do të jenë mjetet më të mira për të realizuar këto qëllime dhe për të lehtësuar raportet ndërmjet dy vendeve në fushën e bujqësisë dhe eksportit të produkteve bujqësore, ka thënë ministri Krasniqi.
Ai tha se me marrëveshje konkrete dhe me një komunikim të rregullt mes dy vendeve do të eliminohen të gjitha barrierat që mund të kenë qenë në të kaluarën.
Mbetemi të përkushtuar për të arritur këto objektiva të përbashkëta dhe për të mundësuar një funksionim shumë më efikas, i cili do të evitojë në të ardhmen keqkuptimet e panevojshme të cilat ndonjëherë na kanë ndodhur të dy palëve dhe për çka asnjëherë ska qenë vullneti i asnjërës prej palëve, tha ministri Krasniqi.
Në anën tjetër, Ministri Edmond Panariti, tha se bashkë me ministrin Krasniqi u pajtuan që pas projekteve të realizuara më herët të punojnë në drejtime të reja, që janë të nevojshme për të dy vendet.
Ne arritëm që të njehsojmë standardet në fushën e shkëmbimit të drithërave dhe miellit dhe tashmë ne kemi një paketë integrale të përbashkët e cila pasi mori natyrisht edhe miratimin paraprak nga prodhuesit e të dyja e vendeve do të formalizohet në mbledhjen e ardhshme të qeverive, tha ai, teksa foli për masat e reja që do të ndërmarrin të dy vendet për të krijuar një raport të thellë bashkëpunimi.
Së shpejti do të dalim me një paketë të përbashkët të standardeve të cilësisë dhe sigurisë edhe për produkte të tjera duke bërë një hap tjetër të vendosur për unifikimin e standardeve.\"
\"Nga ana tjetër ne ramë dakord që ne të njehsojmë edhe dokumentet bashkëshoqëruese të mallrave të artikujve bujqësorë, pra dokumentet të jenë unike dhe të njohura nga dy autoritetet tona dhe kjo do të bëjë të mundur kalimin pa asnjë lloj pengesë të mallrave me dokumentet përkatëse, por që janë të njohura nga dy qeveritë tona, shtoi ai.
Ministri Krasniqi dhe Panariti kanë diskutuar edhe për një krijimin e një tregu të përbashkët, që do të përbente një bashkim ekonomik e që do të ishte pozitiv për secilën palë, e në veçanti për prodhuesit dhe kultivuesit bujqësorë.