Kosova duhet të rrisë eksportin në Shqipëri
Tiranë, 11 shtator - Ka ende shumë sektorë të bujqësisë ku Kosova dhe Shqipëria mund të rrisin bashkëpunimin dhe për këtë nevojiten veprime të dyanshme dhe që qojnë në veçanti në lehtësimin e procedurave dhe krijimit të rrugëve të komunikimit mes prodhuesve nga të dyja vendet.
Kështu tha dje Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi gjatë takimit që kishte në mbrëmje me homologun e tij nga Shqipëria, Ministrin e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti.
Ministri Krasniqi po viziton Shqipërinë në kuadër të vizitës shtetërore të Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.
Në takim me Panaritin, ministri Krasniqi vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm mes dy vendeve dhe ecurinë e diskutimeve për fushat tjera konkrete që lehtësojnë prodhimtarinë nga të dyja vendet.
Ministri e njoftoi homologun e tij me investimet që ka bërë Qeveria e Kosovës këtë vit në bujqësi, që përfshinë një buxhet prej 43 milionë eurove. Kjo sipas tij do të ndikojë në rritjen e prodhimtarisë dhe tokës së punuar.
Duke parë këtë, ministri Krasniqi tha se Shqipëria dhe Kosova janë mundësi e madhe për prodhuesit nga të dy vendet dhe për këtë duhet krijuar lehtësira më të mëdha tregtare.
Ndërsa, ministri Krasniqi u shpreh se krahas rritjes për 50 për qind të volumit të eksporteve të mallrave nga Shqipëria në Kosovë, ne presim që të rritet edhe eksporti i Kosovës në Shqipëri.
Ne u pajtuam që marrëveshjet të mos mbeten thjesht të shkruara, por të unifikojmë standardet dhe certifikatat në funksion të lehtësimit të tregtisë mes dy vendeve. Në frymën e bashkëpunimit vëllazëror ne duhet të stimulojmë rritjen e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve tona, tha Krasniqi, ndërsa theksoi se duhet dhënë fund një herë e përgjithmonë barrierave për bizneset nga Kosova dhe anasjelltas.
Edhe Ministri Panariti tha se do tu jepet fund ngërçeve të panevojshme që mund të kenë ndikuar në shkëmbimin tregtar mes dy vendeve.
Ramë dakord që marrëveshjen në fushën e bujqësisë ta shoqërojmë me masa konkrete. Unifikojmë praktikat dhe standardet për disa produkte si mielli. Të mbyllen njëherë e përgjithmonë ngërçet e krijuara në mënyrë të panevojshme. Ne jemi mirënjohës që na keni dhënë status ekskluziv për produktet bujqësore të Shqipërisë, tha Panariti.
Një nga fushat e mundshme të bashkëveprimit që ministri Krasniqi përmendi ishte edhe eksporti i rrushit nga Kosova në Shqipëri, për çka ministri Krasniqi tha se do të ishte e favorshme për verëtarët e Shqipërisë.
Në këtë drejtim ai tha se duhet shqyrtuar të krijohen lehtësime doganore dhe tregtare. Po ashtu u diskutua edhe për krijimin e lehtësirave për vezët dhe brojlerët.