Kosova dhe Kroacia me marrëveshje në sektorin e vreshtarisë
Prishtinë, 20 nëntor - Në Institutin e Vreshtarisë dhe Verëtarisë në Rahovec, është nënshkruar marrëveshja e bashkëpunimit në mes Departamentit të Vreshtarisë dhe Verëtarisë të MBPZHR-së me Institutin e Vreshtarisë dhe Verëtarisë së Kroacisë.
Me nënshkrimin e kësaj marrëveshje, po krijohen mundësitë edhe për ndërlidhjen e sistemeve ekzistuese dhe krijimin e një platforme të përbashkët për përdorimin e GIS në bujqësi, kontrollin e produkteve bujqësore, sigurinë e konsumatorëve dhe sistemin e subvencionimit.
Me këtë rast, drejtori i Departamentit të Vreshtarisë dhe Verëtarisë në kuadër të MBPZHR-së, Bekim Hoxha, ka thënë se me këtë marrëveshje parashihet edhe shtimi i mundësisë së bashkëpunimit si dhe përgatitja e programeve të përbashkëta për fondet dhe projektet nga Bashkimi Evropian, e po ashtu edhe këmbimi i ekspertëve dhe shkëmbimi i përvojave në krijimin e praktikave më të mira në lidhje me menaxhimin dhe mirëmbajtjen e kadastrit të vreshtave dhe kontrollit të kualitetit të verës.
Ministria e Bujqësisë, këtë vit për herë të parë sivjet e ka lansuar Sistemin për Menaxhimin e Cilësisë dhe Kontrollit të verës, në të cilin vreshtarët dhe kompanitë prodhuese të verës dhe prodhimeve tjera nga rrushi e vera janë të obliguar të bëjnë deklarimin përfundimtar të rendimentit të rrushit të vjelur. Në këtë drejtim eksperienca dhe përvoja e Kroacisë është e domosdoshme për Kosovën dhe kjo marrëveshje mundëson intensifikimin e bashkëpunimit për marrjen e praktikave më të mira në këtë drejtim, ka thënë Hoxha.
Ndërsa, Ivana Petric, nga Instituti i Vreshtarisë dhe Verëtarisë në Kroaci, ka thënë se nënshkrimi i kësaj marrëveshje do të ju ndihmojë të dyja shteteve shkëmbimin e përvojave në sistemin e vreshtarisë dhe verëtarisë.
Ndryshe, Ministria e Bujqësisë, këtë vit për herë të parë e ka lansuar Sistemin për Menaxhimin e Cilësisë dhe Kontrollit të verës, në të cilin vreshtarët dhe kompanitë prodhuese të verës dhe prodhimeve tjera nga rrushi e vera janë të obliguar të bëjnë deklarimin përfundimtar të rendimentit të rrushit të vjelur.
Ky deklarim i vjeljes së rrushit bëhet në Departamentin për Vreshtari dhe Verëtari në Rahovec, nga 7 shtatori i këtij viti, deri më 10 dhjetor po të këtij viti.