25 Dhjetor 2024

Kosova dhe Iowa me mundësi të reja për bashkëpunim në bujqësi

Prishtinë, 15 tetor - Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi po qëndron për një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

 

Ai të mërkurën ka qëndruar në Des Moines, kryeqytetin e shtetit të Iowa-s, me ç’rast ka marrë pjesë në hapjen e një prej ngjarjeve më të mëdha për bujqësinë në SHBA dhe botë, \"Borlaug Dialogue\", në kuadër të së cilës ndahet edhe Çmimi Botëror i Ushqimit, që vlerësohet si çmimi më i rëndësishëm ndërkombëtar për arritje në fushën e bujqësisë dhe ushqimit. Në hapje të kësaj ngjarjeje, fjalën kryesore e mbajti Chelsea Clinton, Zëvendës Kryetare e Fondacionit Clinton.

Me këtë rast, Ministri Krasniqi ka zhvilluar një takim me Sekretarin për Bujqësi të shtetit të Iowa-s, Bill Northey, me të cilin ka biseduar për mundësitë e bashkëpunimit konkret në bujqësi, duke u nisur nga fakti që Kosova dhe Iowa kanë marrëveshje të partneritetit shtetëror dhe deri më tani kanë nënshkruar disa marrëveshje për bashkëpunim në fusha të ndryshme

Ministri Krasniqi e njoftoi sekretarin Northey për të arriturat e bujqësisë së Kosovë, si dhe sfidat me të cilat ajo përballet.

Ministri tha se bujqësia është një nga prioritetet kryesore të Qeverisë së Kosovës, si një sektor që ka ndikuar dhe po ndikon në rritjen ekonomike dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

Ai theksoi se me investimet që ka bërë Qeveria dhe vet sektori privat është rritur dukshëm prodhimi si dhe janë zgjeruar sipërfaqet me prodhime të ndryshme bujqësore.

Në këtë drejtim, ai tha se do të rritet edhe më tutje mbështetja dhe se po punohet në trajtimin e sfidave strukturore për bujqësinë në vend si rritja e kapaciteteve të ujitjes, konsolidimi i tokave bujqësore dhe përmirësimi i infrastrukturës rurale.

Ministri Krasniqi, duke e falënderuar sekretarin Northey për gatishmërinë për të mbështetur Kosovën edhe në sektorin e bujqësisë, shfaqi interesimin që të ketë edhe më shumë shkëmbime përvojash dhe projekte konkrete për promovimin e prodhimeve bujqësore të Kosovës në shtetin e Iowas dhe anasjelltas.

“Për ne Iowa mbetet ndër shembujt kryesorë për zhvillimin e bujqësisë dhe përkundër faktit që ne kemi mundësi më të vogla natyrore, ne mund të mësojmë dhe aplikojmë shumë nga përvojat e juaja”, tha ministri Krasniqi.

Sekretari Bill Northey e informoi ministrin Krasniqi për etapat e zhvillimit të bujqësisë në Iowa, duke arritur deri në bërjen e këtij shteti si një nga prodhuesit më të mëdhenj në Amerikë të shumë produkteve bujqësore. Northey shtoi se bujqësia është një sektor mjaftë i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të një vendi dhe vlerësoi faktin që Qeveria e Kosovës ka rritur mbështetjen për fermerët.

Ai premtoi se Iowa do të vazhdojë të mbështesë Kosovën edhe në fushën e bujqësisë, në mënyrë që fermerët kosovarë të përfitojnë nga përvojat e fermerëve të Iowas.

Ministri Krasniqi, po ashtu gjatë ditës së mërkurë, ka takuar edhe gjeneralin Timothy Orr në Kampin Dodge, që është baza e Gardës Kombëtare të Iowas. Komandanti i Gardës, gjenerali Orr ka qenë një nga nismëtarët e partneritetit mes shtetit Iowa dhe Kosovës dhe vazhdon ende të iniciojë projekte të ndryshme në shumë fusha.

Ministri Krasniqi e informoi gjeneralin për zhvillimin e bujqësisë dhe potencialin që ka ajo për vendin. Ai shtoi se miqësia mes dy shteteve krijon mundësi të mira që më shumë produkte nga Kosova të gjejnë treg në Amerikë dhe në këtë drejtim ai tha se do të punohet që të ketë prezencë edhe më të madhe të produkteve bujqësore kosovare këtu, e në veçanti në Iowa.

Gjenerali Orr, tha se është mjaft i lumtur për projektet e realizuara deri më tani mes dy vendeve dhe ofroi mbështetjen e tij për projekte të reja bashkëpunimi edhe në fusha të tjera me potencial, si bujqësia dhe edukimi.

Gjatë ditës së sotme, ministri Krasniqi do të marrë pjesë edhe në ceremoninë zyrtare të ndarjes së Çmimit Botëror për Ushqim që organizohet nga World Food Foundation, si dhe do të zhvillojë takime dhe vizita të ndryshme në qytetin e Des Moines.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)