Kosova çdo vit humb rreth 1.000 hektarë tokë bujqësore
Prishtinë, 5 mars - Deri në një mijë hektarë tokë bujqësore tjetërsohet çdo vit në mënyrë të kundërligjshme gjithandej Kosovës. E për këtë nuk është dënuar kurrë askush, madje asnjë rast nuk është dërguar para organeve të drejtësisë.
Tokat bujqësore gjithandej vendit, me një hov të madh, po shndërrohen në prona ndërtimore dhe industriale, andaj nëse vazhdohet me këtë trend Kosova prej pesë deri në dhjetë vjet do të kthehet e tëra në beton, kanë deklaruar për gazetën zyrtarë të lartë të institucioneve kompetente.
Për krejt këtë, Ministria e Bujqësisë ka drejtuar gishtin e fajësisë nga komunat, kurse drejtues të Komisionit Parlamentar për Bujqësi, thonë se të gjitha palët mbajnë përgjegjësi të barabartë.
Zyrtarë komunash e pranojnë se kanë bërë shumë pak në drejtim të mbrojtjes së tokave bujqësore nga tjetërsimet e paligjshme. Por, ata arsyetohen me mungesë të Planit Hapësinor në nivel të Kosovës, ani që Ligji për tokën bujqësore është në fuqi që nga viti 2005, dhe ai në mënyrë precize obligon mbrojtjen e tokës dhe parasheh sanksionet për ata që shkelin ligjin.
Adil Behramaj, zëdhënës i Ministrisë së Bujqësisë, ka deklaruar për gazetën se humbjet e tokës bujqësore dhe shndërrimi i tyre për qëllime të tjera janë tejet shqetësuese.
Shumica e komunave nuk na kanë ofruar shënimet që ua kemi kërkuar lidhur me këtë dukuri negative, dhe për pasojë ne nuk kemi të dhëna të sakta për humbjet e sipërfaqes së tokës bujqësore, është shprehur Behramaj. Megjithatë, ai ka pohuar se llogaritet që në mënyrë të planifikuar ose të paplanifikuar sipërfaqja që humbasim për një vit sillet prej 400-500 hektarë. Por, këto shifra i paraqet dyfish më të larta një Raport hulumtimi që ka bërë Komisioni Parlamentar për Bujqësi, në fund të vitit të shkuar, ku thuhet se brenda vitit Kosova humb rreth 1.000 hektarë tokë bujqësore.
Në Raportin e Komisionit për Bujqësi, të cilin e posedon gazeta, Komuna e Prizrenit, bashkë me atë të Mitrovicës, Skenderajt, Drenasit, Klinës, Shtimes, Gjilanit, Kamenicës, Suharekës, Dragashit dhe Novo-Bërdës janë përmendur si institucionet lokale që prijnë me shkelje të ligjit. Ato nuk kanë dërguar kërkesa për pëlqim në Ministrinë e Bujqësisë, për tjetërsimin e tokave të klasës së parë (1-4) ashtu siç e parasheh Ligji dhe aktet e tjera nënligjore, thuhet në Raport.
Ndërkaq, të tria komunat: Lipjani, Shtërpca dhe Suhareka, për planet zhvillimore të tyre, nuk kanë kërkuar pëlqim nga Ministria e Ambientit, ndonëse i obligon Ligji.
Në këtë Raport, ndër shumë shkeljet e evidentuara, është konstatuar se ka sipërfaqe të tokës bujqësore, nën sistem të ujitjes së cilës iu ka ndërruar destinimi (Vushtrri, Prizren, Drenas etj.), dhe se mesatarisht 2.000-3.000 hektarë të tokës së ujitur bujqësore nën mbikëqyrje të Ibër-Lepencit, është humbur për shkak të ndërtimeve, ndërsa në sistemin Dukagjini të Prizrenit, janë humbur rreth 30 për qind e zonës së ujitur nga ndërtimet pa leje, apo 1.700 hektarë nga 5.000 sa ka pasur aty gjithsej.
/KD/