Komunat informohen për sistemin kadastral në Kosovë
Prishtinë, 7 shkurt - Agjencia Kadastrale e Kosovës ka organizuar një takim pune me Drejtorët e Drejtorive për Kadastër, ndërsa në fokus të takimit ka qenë informimi i ndërsjellë mbi gjendjen aktuale sa i përket sistemit kadastral në Kosovë.
Pos kësaj, duke marrë parasysh faktin që shumë ZKK udhëhiqen nga drejtorë të rinj të emëruar në postet udhëheqëse, takimi u shfrytëzua për njohjen e tyre me sfidat me të cilat mund të ballafaqohen gjatë mandatit të tyre, mënyrat për tejkalimin e sfidave, etj.
Në fillim të takimit Kryeshefi i AKK-së Prof. Dr. Murat Meha përmendi disa nga të arriturat kyçe të AKK-së gjatë vitit të shkuar, përfshi krijimi i sistemit të unifikuar të adresave, ofrimin e informacioneve përmes gjeoportalit, avancimi në Sistemin e Informacioneve Kadastrale për Tokën në Kosovë, ndërsa si suksesin më të madh përmendi faktin se Kosova këtë vit ka shënuar ngritje në raportin e Bankës Botërore sa i përket regjistrimit të pronës.
Kosova tani është për 18 vende në ranglistën e Bankës Botërore më lart se që ka qenë vitin e kaluar, dhe kjo pikërisht për shkak të kadastrit dhe regjistrimit e administrimit të tokave në përgjithësi, tha Meha.
Përmes një punimi profesional dhe detajor Kryeshefi i AKK-së prezantoi gjendjen në AKK dhe ZKK sa i përket integrimit të të dhënave dhe mirëmbajtjes së tyre, duke tërhequr vërejtjen se ka akoma ZKK të cilat janë duke anashkaluar disa korniza pune, doracakë dhe udhëzues, gjatë kryerjes së punëve kadastrale.
Po ashtu, sipas një raporti të nxjerrë nga Agjencia Kadastrale e Kosovës u tha se kuadri profesional në shumë Zyra Kadastrale Komunale ka mungesë të kualifikimit dhe azhurnimit, si dhe ka ngecje të gatishmërisë për punë dhe avancim, në kuptimin e zhvillimeve aktuale si dhe leximit të materialeve, ligjeve, urdhëresave administrative, etj.
Pas prezantimit të raporteve të AKK-së, Drejtorët e Drejtorive për Kadastër prezantuan gjendjen e tyre faktike, ndërsa u zotuan që të ngritin angazhimin profesional dhe bashkëpunimin me AKK-në, krejt kjo me qëllim të ofrimit të të dhënave sa më kualitative për qytetarët e Republikës së Kosovës.