Komuna e Mitrovicës subvencionon me sera 50 fermerë
Mitrovicë, 24 maj - Në kuadër të Planit të Punës së Drejtorisë për Bujqësi është realizuar projekti i radhës për subvencionim të fermerëve në fushën e serave, me ç' rast kryetari i komunës, Agim Bahtiri, së bashku me drejtorin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, Ekrem Sadiku, sot kanë ndarë serat për fermerët e komunës.
Qëllimi i këtij projekti është mbështetja e fermerëve mitrovicas, ku 50 prej tyre kanë përfituar sera të cilat do t’i ndihmojnë për kultivimin e prodhimeve vendore, gjë që do të thotë se kjo mbështetje është e mirëseardhur për fermerë dhe për furnizimin e tregut me kultura bimore.
Me këtë rast, në fjalën e tij kryetari Bahtiri, përshëndeti fermerët përfitues të projektit, duke iu dëshiruar suksese në punën e tyre edhe në të ardhmen.
”Komuna në bazë të mundësive dhe kapaciteteve buxhetore po përpiqet të mbështes zhvillimin e bujqësisë, duke iu ofruar subvencione të ndryshme, kësaj radhe me sera në disa lokalitete të ndryshme”, tha kryetari Bahtiri.
Ai po ashtu ka kërkuar nga qytetarët e pranishëm që të jenë pjesë e dëgjimeve publike buxhetore të cilat do të organizohen shumë shpejt nga Drejtoria e Financave, ku kërkesat dhe sugjerimet e qytetarëve do të merren parasysh.
Ndërkaq në fund fermerët përfitues kanë shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që po u jep Komuna. Ata thanë se do të punojnë maksimalisht për përkujdesje dhe mirëmbajtjen e serave, me qëllim të arsyetimit të mbështetjes dhe prodhimtarisë sa më të mirë.