Komuna e Mitrovicës ndan 22 makina mjelëse për fermerë
Mitrovicë, 24 qershor - Drejtoria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në Komunën e Mitrovicës ka ndarë 22 makina mjelëse për fermerët e Komunës së Mitrovicës.
Me rastin e shpërndarjes së këtyre makinave, ishte prezent edhe kryetari i komunës, Agim Bahtiri. Ai tha se gjatë qeverisjes së tij, si prioritet ka zhvillimin e bujqësisë në Mitrovicë dhe për këtë arsye, fermerëve në vazhdimësi do të ju ndihmohet në forma të ndryshme.
Jemi duke u përpjekur që sektorin e bujqësisë ta fuqizojmë. Që nga momenti që kam ardhur kam bërë përpjekje për të sigurua kushte sa më të mira për zhvillimin e sektorit të bujqësisë e në kuadër të kësaj edhe për të ndihmuar fermerët. Mbështetja ime për ju do të jetë gjithnjë e më e madhe, ka thënë kryetari Bahtiri.
Drejtori i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Veton Rexha tha se shpërndarja e këtyre makina mjelëse bëhet në vazhdën e përpjekjeve të Drejtorisë për të përkrahur fermerët.
Kësaj radhe janë 22 makina mjelëse për 22 fermerë. Ne do të vazhdojmë edhe në të ardhmen me mbështetjen e fermerëve në mënyra të ndryshme, si me subvencionim, pajisje të tjera bujqësore, trajnim etj. Kemi shumë plane dhe besojmë se me një bashkëpunim më të mirë me bujqit e Mitrovicës, do t`i arrijmë qëllimet tona, tha ai.
Edhe fermerët janë shprehur të kënaqur më këtë mbështetje nga Komuna. Nysret Istrefi nga fshati Bajgorë tha se më këtë makinë mjelëse puna e tij do të jetë shumë më e lehtë, por në të njëjtën kohë edhe më efikase.