Komuna e Gjakovës shpallë fermerët e Vitit 2015
Gjakovë, 24 dhjetor - Drejtoria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në Komunën së Gjakovës, si në çdo fund të vitit, sot ka bërë përzgjedhjen e fermerëve më të suksesshëm të vitit 2015.
Në këtë ceremoni me një fjalë rasti e ka përshëndetur kryetarja e Komunës, Mimoza Kusari Lila, e cila ka theksuar se gjatë këtij viti me një përkushtim të veçantë është investuar në sektorin e bujqësisë, ku janë bërë përpjekje për investime përmes subvencioneve që arrijnë vlerën prej mbi 160 mijë euro, si dhe përmes investimeve kapitale që arrijnë shumën prej rreth 150 mijë euro.
Kryetarja Mimoza Kusari Lila ka bërë edhe thirrje për fermerë për aplikime në projekte edhe të nivelit qendror pasi që ne jemi të vetëdijshëm se investimet vetëm nga komuna nuk janë të bollshme për revitalizimin e mirëfilltë të këtij sektori shumë të rëndësishëm.
Prandaj, është e nevojshme që aktivisht të lobohet dhe të aplikohet prej nivelit lokal në atë qendror. Në fund, kryetarja Mimoza Kusari Lila ka shprehur kënaqësinë që në mesin e fermerëve të vlerësuar për këtë vit gjendet edhe fermere gra të cilat janë përfituese të subvencioneve.
Bekim Ermeni, drejtor i Drejtorisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, me shpalljen e fermerëve të vitit ka theksuar se ka qenë një listë e gjerë e fermerëve të vyeshëm si kandidatë potencial.
Ndërsa, për përzgjedhjen e pesë kandidatëve fitues ka vendosur komisioni i ngritur enkas për këtë vlerësim, sipas të cilit fermerët më të suksesshëm për këtë vit janë shpallur Muharrem Karakushi në lëmin e lavërtarisë, Gjyle Hyseni në lëmin e bletarisë, Skender Rexha në lëmin e pemëtarisë, Miradije Gjoni në lëmin e blegtorisë dhe Astrit Selimaj në lëmin e shpeztarisë. Fermerët e përzgjedhur, nga Drejtoria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural do të shpërblehen me nga treqind euro, që sipas drejtori Bekim Ermeni, ideja është që me këto mjete të përgatiten me impute bujqësore për sezonin e ardhshëm.