Kompanitë e Ujitjes i kërkojnë mbështetje Ministrisë se Bujqësisë
Prishtinë, 30 prill - Përfaqësues të Kompanisë Rajonale të Ujitjes Radoniqi-Dukagjini, të prirë nga Jahja Kadria, kanë vizituar sot Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ku janë pritur nga ministri Blerand Stavileci.
Autoritetet kompetente të kësaj kompanie kanë thënë se sistemi i ujitjes, që përfshin territorin e tri komunave dukagjinase, është mjaft modern dhe, që në fazën e parë, në këtë sistem janë futur mbi 6000 hektarë tokë bujqësore dhe pritet që në fazën e dytë të ketë zgjerim të sipërfaqeve të futura nën sistemin e ujitjes edhe deri në 8600 hektarë.
Mirëpo, për të pasur qëndrueshmëri financiare përfaqësuesit e kompanisë kanë kërkuar mbështetje direkte nga Ministria e Bujqësisë me dhënien e subvencioneve për ngastrat që janë nën sistem të ujitjes.
Këtë kërkesë për mbështetje ata e bazojnë në moskryerjen e obligimeve nga ana e borxhlinjve, të cilët janë mjaft neglizhentë në përmbushjen e obligimeve ndaj kompanisë.
Ministri Stavileci i ka inkurajuar përfaqësuesit e kompanisë për të vazhduar tutje me angazhime për hartim të planeve me masa konkrete sipas modeleve nga rajoni . MBPZHR-në, po ashtu, e ka vizituar edhe përfaqësuesi i Kompanisë Rajonale Drini i Bardhë nga Peja.