Kompania britanike Fox Marble pritet të investoj në bujqësi
Prishtinë, 24 qershor - Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, znj. Hykmete Bajrami, priti në takim Chris Gilbert drejtor ekzekutiv i kompanisë britaneze Fox Marble, e cila ka investuar në Kosovë në sektorin e përpunimit të gurit dekorativ - mermerit.
Ministrja Bajrami informoi mysafirët me aktivitetet e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, që kanë për qëllim mbështetjen dhe zhvillimin e sektorit privat, përfshirë përmirësimin e klimës së biznesit dhe inkurajimin e investitorëve të huaj për të investuar në Kosovë.
Ajo i siguroi mysafirët se ekonomia është fokusi kryesor i Qeverisë së Kosovës, duke shtuar se ambienti i biznesit po përmirësohet në vazhdimësi dhe së shpejti pritet edhe aprovimi i pakos së re fiskale e cila do ta lehtësojë edhe më tej zhvillimin e biznesit në Kosovë.
Drejtuesit e Fox Marble e informuan ministren për aktivitetet e tanishme biznesore dhe për planet për zgjerimin e investimeve të tyre edhe në sektorë të tjerë industrial në Kosovë, me fokus të veçantë në sektorin e bujqësisë.