Kompania austriake ATI GmbH investon në sektorin e bujqësisë
Vjenë, 25 tetor - ATI GmbH, një kompani austriake që merret me prodhimin e pajisjeve bujqësore dhe operimin e fermave bujqësore - ka filluar të investojë në sektorin e bujqësisë në Kosovë.
Ky projekt ndihmohet financiarisht nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) përmes programit të Partneritetit Biznesor dhe përkrahet poashtu nga Nisma Ekonomike për Kosovën (ECIKS) dhe AgroAhishta, përmes ofrimit të shërbimeve këshilluese.
Modeli afarist i ATI në Kosovë përbëhet nga tri linja. Fillimisht, investitori do të krijojë kompaninë \"ATI prodhimi i pemëve dhe Shitja\" duke ndërtuar një plantazh model prej 10 hektarësh si hap të parë për mbjellen e pemëve të ndryshme dhe trajnimin e bujqve vendor. Në kuadër të kësaj kompanie parashihet edhe krijimi i një rrjeti të prodhuesve dhe furnizuesve lokal, integrimi i bujqve kosovarë në \"Kllasterin e pemëve\" dhe ndërtimi i një rrjeti të distribuimit në Kosovë.
Së dyti, do të themelohet \"Instituti ATI\", me qëllim të ofrimit të trajnimeve shtesë për bujqit lokalë. Ky institut do të implementoj edhe një platformë informuese të paralajmërimit të hershëm të kushteve të renda klimatik dhe të sëmundjeve të pemëve, nga i cili do të përfitojnë bujqit në mbarë Kosovën dhe institucionet arsimore.
Përfundimisht, do të krijohet departamenti \"ATI makineria\", i cili do të merret me shitjen, huazimin dhe lizingun e pajisjeve të punës në pemtari si dhe me ndërmjetësimin e fuqisë punëtore në pemtari.
Ky projekt synon krijimin e rreth 35 vendeve të reja pune dhe do të bashkëpunojë drejtpërsëdrejti me mbi 100 bujq kosovarë në prodhim, distribuim, eksport dhe trajnime.
Aktualisht, rreth 70 për qind e kërkesës në tregun vendor për prodhime bujqësore dhe ushqim të procesuar përmbushet nga importet.
Duke përforcuar zingjirin e furnizuesve lokal dhe shfrytëzuar potencialin e sektorit te bujqësisë në Kosovë, projekti në fjalë do të ndikojë në zbutjen e varshmërisë nga importet dhe në zhvillimin socio-ekonomik të vendit thotë Daniel Rössler, Projekt Menaxheri i Programit të Partneriteteve Biznesore për Ballkanin Verior.
Ky projekt paraqet një kontribut madhor austriak në krijimin e vendeve të reja të punës, substituimin e importit të pemëve, rritjen e eksportit të produktit vendor dhe në krijimin e zingjirit të vlerës në sektorin e bujqësisë.