Këtë javë procesi i vlerësimit të aplikusve për grande
Prishtinë, 4 maj - Procesi i vlerësimit të aplikuesve për konkursin e grandeve për bujqësi e zhvillim rural të Ministrisë së Bujqësisë pritet të fillojë këtë javë.
Janë mbi 2000 aplikues për grande që sivjet kapin shumën prej 20 milionë eurosh. Konkursi, i cili ka qëndruar i hapur mbi 45 ditë, ishte mbyllur më 10 prill, kurse këtë javë pritet të fillojë vlerësimi i aplikuesve, ka thënë këshilltari në Ministrinë e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Shkëlzen Dragaj.
Vlerësimi, sipas tij, do të jetë korrekt, pasi është thuajse elektronik. Vlerësimi paraprak i projekteve është bërë me sistem pak a shumë elektronik bazuar në kriteret të përgatitura në program dhe që kanë qenë publike. D.m.th secili fermer e ka ditur nëse i plotëson ato dhe sa pikë do ti ketë, ka thënë ai.
Çdo gjë nuk përfundon me vlerësimin e parë, thotë Dragaj, pasi pasojnë vizitat në terren. Të përzgjedhurit në fazën e parë, inspektohet në terren, me çrast Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë, e cila implementon programin, vendosë për diskualifikim eventual nëse nuk i përmbahet dikush programit, pra të asaj për çfarë është fituar grandi, p.sh. 80.000 euro që është një shumë e konsiderueshme e taksapaguesve. Atëherë natyrisht se nuk mund të lejohet të vazhdojë dhe mund të diskualifikohet e të hyjë tjetri me radhë, ka thënë ai.
Krahas këtij konkursi, ka qenë edhe konkursi i subvencioneve për drithëra, pemë e perime, që po ashtu është mbyllur. Ndërkohë konkursi për blegtori, bletari edhe material fidanor, do të jetë i hapur deri më 5 qershor.