Këshilla teknike dhe profesionale për fermerë
Prishtinë, 16 korrik - Kushtet klimatike, përshtatshmëria e tokës dhe masat agroteknike janë disa prej faktorëve kryesorë që ndikojnë në arritjen e rendimenteve të larta në prodhim dhe në të ardhmen e fermerëve kosovarë.
Kjo po synohet të arrihet nëpërmjet ofrimit të shërbimeve këshillimore, që Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural është duke organizuar në nivelin qendror dhe lokal, me anë të të cilave synohet të bëhet edhe rajonizimi i prodhimtarisë dhe krijimi i identiteteve bujqësore në tërë territorin e Kosovës. Për më tepër, përveç këshillave teknike që rreth 70 këshilltarë do tu ofrojnë çdo ditë fermerëve në terren, këto shërbime synojnë ta rrisin edhe shkallën e konkurrueshmërisë së produkteve bujqësore.
Zëdhënësi i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MPBZHR), Adil Behramaj, ka deklaruar për gazetën se Departamenti i Prodhimtarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve dhe ai Prodhimtarisë Blegtorale, të cilët funksionojnë në kuadër të ministrisë, në bashkëpunim me zyrtarët komunalë kanë themeluar një komision vlerësues, i cili tashmë ka identifikuar edhe produktet kryesore, duke u bazuar në prodhimtarinë bujqësore të secilës komunë. Në bazë të të dhënave që ka nxjerr ky komision, del se kulturat më të rëndësishme bujqësore në Kosovë, të cilat kultivohen në sipërfaqe më të madhe, janë kultura bujqësore e grurit, misrit, mollës dhe domates, thotë Behramaj.
Krahas kësaj, sipas tij, ky komision ka arritur që në 35 komuna të Kosovës ti identifikojë nga tri prodhime kryesore bujqësore dhe blegtorale dhe kjo e tëra është bazuar në sipërfaqe dhe rendimente, si dhe në prodhimtarinë e qumështit dhe mishit nëpër secilën komunë. Ndërkaq, bazuar në raportin e këtij komisioni, është hartuar dhe dizajnuar edhe harta në të cilën prezantohet në mënyrë vizuale prodhimtaria dominuese në të gjitha komunat e Kosovës.
Për ti thelluar njohuritë e fermerëve rreth praktikave të mira në kultivimin e kulturave të ndryshme bujqësore, Ministria e Bujqësisë, në kuadër të riorganizimit të njësive të saj, është duke i shndërruar në departament të veçantë edhe Shërbimet Këshillimore për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, të cilat do të përbëhen nga 70 ekspertë të fushave përkatëse.
Kurse këshilltari i lartë teknik i ministrit Stavileci, Greg Vaut, ka deklaruar se nëpërmjet këtyre shërbimeve fermerëve kosovarë do tu ofrohen trajnime edhe për menaxhimin e suksesshëm dhe për rritjen e të ardhurave në fermë, trajnime për zgjidhjen e problemeve të ndryshme që ndërlidhen me prodhimin, për çështjet ekonomike dhe organizative të fermave, për ruajtjen e burimeve natyrore, ruajtjen e mjedisit dhe përcjelljen e të arriturave shkencore dhe trendëve bashkëkohorë, gjithnjë duke u bazuar në kërkesat e tregut.
Fermerët e Kosovës po përballen me konkurrencë të vështirë nga fermerët e tjerë evropianë. Konsumatorët në Kosovë janë duke i ngrënë mollët dhe rrushin e importuar dhe janë duke e pirë qumështin e importuar. Këta kanë nevojë të ndihmohen për të marrë informacione teknike më të efektshme dhe më moderne në mënyrë që të mund ta rrisin prodhimin dhe leverdinë e tyre, është shprehur Vaut. Sipas tij, bujqësia është një biznes kompleks me shumë rreziqe dhe fermerët kanë nevojë për menaxhim më të mirë dhe aftësi marketingu së bashku me teknologjitë e reja të prodhimit.
Ai ka shtuar se themelimi i shërbimeve këshillimore nacionale është i nevojshëm në mënyrë që Kosova ti plotësojë edhe kushtet për integrim në BE. Kosova është i vetmi vend evropian që nuk ka një shërbim këshillimor bujqësor nacional. Ne duhet ta përshpejtojmë ritmin e ndryshimit në bujqësi dhe themelimi i shërbimit këshillimor nacional është pjesë kritike në bërjen e kësaj, ka deklaruar Vaut.
Se sa të rëndësishme dhe të domosdoshme janë këto shërbime këshillimore, të cilat deri më tani Ministria e Bujqësisë i ka ofruar vetëm nëpërmjet financimit të projekteve publiko-private, kanë treguar edhe vetë fermerët kosovarë, të cilët kanë përfituar nga to.
Fermeri Labinot Murati nga komuna e Lipjanit, i cili merret me prodhimin e qumështit, ka thënë se falë këtyre shërbimeve ka arritur ta zgjerojë edhe biznesin e tij familjar, të cilin e kishte filluar shumë vite më parë. Këshillat e ekspertëve në këtë fushë janë të domosdoshme, pasi nëpërmjet tyre po arrijmë të përfitojmë eksperienca të reja në fushën e bujqësisë dhe kjo po ndikon edhe në zhvillimin e bizneseve tona, thotë Murati.
Shërbimet këshillimore për bujqësi dhe zhvillim rural do të jenë përgjegjëse për ndërtimin e kapaciteteve teknike në nivel ferme, me qëllim që sektorin e bujqësisë ta bëjnë një sektor më ekonomik, më konkurrues dhe gjithnjë e më shumë të orientuar drejt kërkesave të tregut të brendshëm dhe tregjeve ndërkombëtare. Gjithashtu, nëpërmjet shërbimeve këshillimore për bujqësi dhe zhvillim rural Ministria e Bujqësisë do tu ofrojë edhe këshilla teknike fermerëve për të aplikuar për grande investuese në programe të ndryshme të BE-së dhe të donatorëve të tjerë. (Epoka e re)