Kërkohet zbatimi i ligjit për pasurimin e miellit
Prishtinë, 4 janar - Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural së bashku me UNICEF-in dhe me të gjitha institucionet tjera vendore do të vazhdojnë bashkëpunimin për të ndikuar në implementimin e Ligjit për Pasurimin e Miellit.
Krahas kësaj, udhëheqësit e këtyre institucioneve kanë kërkuar po ashtu kontroll më të shtuar nga inspektorët në zbatueshmërinë e këtij ligji, që sipas tij mielli i prodhuar në Kosovë, por edhe i importuar duhet të përmbajë sasitë e duhura të acidit folik dhe hekurit.
Kështu është thënë sot në takimin e zëvendësministrave të MBPZHR-së, Vesel Krasniqi dhe Isni Kilaj me përfaqësuesit e UNICEF-it në Kosovë, kryeshefin e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, si dhe përfaqësuesit e Ministrisë së Shëndetësisë, Shoqatës së Mullisëve dhe kryetarin e OJQ Konsumatori, institucione këto përgjegjëse për zbatimin e ligjit.
Me këtë rast, zëvendësministri i Bujqësisë, Isni Kilaj, tha se ministria do të ofrojë gjithë mbështetjen e saj institucioneve tjera përgjegjëse, që të ndikojnë që mielli që prodhohet në vend dhe ai që importohet të jetë i pasuruar me acid folik dhe hekur, ashtu siç e kërkon edhe ligji, i cili është miratuar vite më parë. Ai tha se do të ofrojnë mbështetjen e tyre, që në të ardhmen të mos paraqiten probleme në zbatimin e këtij ligji.
Po ashtu, edhe zëvendësministri Vesel Krasniqi, duke theksuar rëndësinë që e ka zbatimi i këtij ligji në shëndetin e popullatës, ka bërë thirrje të gjithë partnerëve relevantë vendor e ndërkombëtar që të kontribuojnë në zbatimin e këtij ligji bashkërisht.
Ndërkaq, Agron Gashi, përfaqësues i UNICEF-it në Kosovë, ka treguar disa të dhëna rreth implementimit të këtij ligji, që sipas tij ato tregojnë se duhet ende për t’u bërë në këtë drejtim dhe shtoi se si organizatë janë të gatshëm të ndihmojnë edhe më tutje në këtë proces, në bashkëpunim me MBPZHR-në, por edhe prodhuesit vendorë.
Ndryshe, Kosova është në mesin e 75 shteteve, të cilat e kanë pasuruar miellin me acid folik dhe hekur.