Kërkohet mbështetje më e madhe prej BE-së për bujqësi
Shkup, 11 nëntor - Në Shkup të Maqedonisë është duke u mbajtur takimi i pestë vjetor i punës së Ministrive të Bujqësisë nga Evropa Jug-Lindore. Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave e Republikës së Maqedonisë, e cila në vitin e ardhshëm do ta kryesojë presidencën e Grupeve Drejtuese të Punës për Zhvillimin Rural Regjional (GDP ZHRR) në Evropën Jug-Lindore, ka organizuar takimin e radhës për të diskutuar rreth Politikave të Përbashkëta Bujqësore (PPB).
Në këtë takim është duke marrë pjesë edhe delegacioni i Ministrisë së Bujqësisë së Kosovës, i cili po kryesohet nga zv.ministri i MBPZHR-së, Xhabir Morina.
Duke iu drejtuar të pranishmëve, zv.ministri Morina ka theksuar se procesi i integrimit dhe aderimi në Bashkimin Evropian përbëjnë prioritet për Qeverinë e Republikës së Kosovës.
Procesi i integrimit dhe aderimi në Bashkimin Evropian përbëjnë prioritet për Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe rreshtimi i bujqësisë kosovare përkrah vendeve me bujqësi më të zhvilluar është duke na ndihmuar që tju paraprijmë proceseve që duhet ti tejkalojmë gjatë viteve të ardhshme.\'
\"Asistenca që na është ofruar po na ndihmon që të përfitojmë nga praktikat më të mira të këtyre vendeve dhe të përgatitemi, që kur të jemi në pozitë të përfitojmë nga fondet strukturale të BE-së, të jemi në gjendje ti implementojmë dhe ti menaxhojmë në përputhje me modelet që kërkohen, ka thënë zv.ministri Morina.
Ai ka shtuar se Ministria e Bujqësisë e Republikës së Kosovës, në përputhje të plotë me Shtyllën I dhe II të Politikave të Përbashkëta Bujqësore, ka filluar të zbatojë skemat përkrahëse të financuara nga buxheti shtetëror, mirëpo sipas zv.ministrit Morina, nevojitet edhe një mbështetje më e madhe për vendet që ende nuk janë kandidate potenciale për të aderuar në BE.
Me qëllim të përshpejtimit të proceseve integruese dhe zgjerimit, Bashkimi Evropian nëpërmjet instrumenteve për asistencë të para-anëtarësimit duhet ti mbështes në masë më të madhe edhe shtetet që nuk janë kandidate, mundësisht edhe nëpërmjet komponentit të pestë të IPARD-it, sepse nga përvoja e vendeve tashmë kandidate dhe anëtare është kuptuar që këto shtete kanë shumë vështirësi për ti absorbuar fondet e nevojshme që do të ndikonin në një zhvillim të përshpejtuar, ka thënë zv.ministri Morina.
Ai ka theksuar se zgjerimi i gamës së mbështetjes duhet të jetë fokusi i ardhshëm i asistencës së BE-së për zgjerim, në të cilën duhet të përfshihet edhe rritja e mbështetjes për vendet para-kandidate.
Bujqësia dhe zhvillimi rural, si përpjekje për të reduktuar diferencat socio-ekonomike midis rajoneve janë pjesë karakteristike e politikës së BE-së dhe qëllimi i këtij takimi vjetor është të diskutohet rreth bashkëpunimit rajonal dhe reformave që duhet të ndërmerren në sektorin për bujqësi dhe zhvillim rural në vendet e Evropës Jug-Lindore.