Kërkohen më shumë subvencione për bujqit
Mitrovicë, 23 qershor - Komuna e Mitrovicës, përkatësisht Drejtoria për Financa dhe Zhvillim Ekonomik, ka filluar me takimin e parë të dëgjimit publik për planifikimin e buxhetit për vitin 2015-2017. Pjesëmarrës në takim ishin përfaqësuesit e sektorit të bujqësisë. Po ashtu prezent ishte edhe kryetari i komunës, Agim Bahtiri.
Fillimisht, drejtori i Drejtorisë për Financa dhe Zhvillim Ekonomik, Nysret Maxhera, tha se takimi mbahet për të dëgjuar kërkesat dhe sfidat e fermerëve në sektorin e bujqësisë, në mënyrë që këto kërkesa të tyre të jenë pjesë e planifikimit buxhetor për vitet në vijim.
Adem Fazliu, zyrtar i lartë financiar theksoi e Buxheti i komunës përbehet nga dy pjesë: nga grandi qeveritar dhe të hyrat vetjake. Sipas tij, ky buxhet shpenzohet për nevojat e përgjithshme të banorëve të Komunës së Mitrovicës përmes projekteve të ndryshme, subvencioneve dhe mënyrave tjera të shpenzimeve.
Ai tha se është shumë e rëndësishme që qytetarët t`i shprehin mendimet e tyre sa i përket hartimit buxhetor, i cili do të fokusohej në nevojat kryesore të fermerëve të Mitrovicës. Para jush janë edhe disa pyetësorë të cilët duhet t`i plotësoni dhe të tregoni se në cilat fusha ju mendoni se duhet të përqendrohet buxheti ne sektorin e bujqësisë, tha ai.
Pjesëmarrësit në takim kanë diskutuar prioritetet e tyre për vitet 1015-2017. Kërkesat e tyre kryesore kishin të bënin me pajisjen me mjete të ndryshme bujqësore, si në makina mjelëse, traktorë, makina për përpunimin e qumështit etj, Po ashtu disa nga fermerët kërkuan edhe projekte në infrastrukturë, subvencionim me lopë qumështore, dele, dhi etj.
Hasan Musa nga fshati Bajgorë theksoi se fermat e kësaj ane përballen me shumë vështirësi. Ai tha se do të ishte mirë që bujqit e kësaj ane të ndihmoheshin me një pikë grumbulluese të qumështit.
Ndërsa, Gani Durmishi nga Qumështorja ALDI tha se prodhuesit ballafaqohen me shumë probleme, pasi nuk e kanë mbështetjen e duhur nga institucionet për t`i rritur kapacitet prodhuese.
Në anën tjetër, kryetari Bahtiri tha se komuna si qëllim kryesor ka zhvillimin e sektorit të bujqësisë në Mitrovicë e sidomos në Shalën e Bajgorës.
Ai tha se është duke punuar që në këtë rajon të bëhet vendosja e një pike grumbulluese e qumështit, por edhe në sektorë të tjerë, siç është kultivimi i pemëve.
Ne jemi duke punuar në drejtim që sektorin e bujqësisë ta përkrahim dhe ta zhvillojmë. E dimë që keni shumë probleme para vetes, por besoj që së shpejti do të keni shumë lehtësira, tha kryetari Bahtiri.
Veton Rexha, drejtor i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, theksoi se drejtoria që e udhëheq ai, për këtë vit ka trashëguar një buxhet shumë të vogël dhe në këtë drejtim ka bërë përpjekje që të hartoj ato fusha ku janë më prioritare për t`i ndihmuar fermerët.
Ai tha se në vitet në vijim beson që buxheti do të dyfishohet dhe si rrjedhojë edhe fermerët e Mitrovicës do të subvencionet më shumë.