KE vazhdon të jetë ndihmëse e madhe e sektorit të bujqësisë
Prishtinë, 5 korrik - Në sesionin e parë informues për grantet e Komisionit Evropian që është mbajtur sot në Villa Gërmi në Prishtinë për Rajonin e Prishtinës, e ku mori pjesë edhe ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural Blerand Stavileci dhe Iva Stamenova, përfaqësuese për sektorin agrorural të KE-së, është debatuar për skemat e ndarjes së këtyre granteve sipas kritereve të BE-së, me çrast janë dhënë edhe udhëzime konkrete për mënyrën e aplikimit dhe për trajnimet që do të bëhen për fermerë që aplikojnë për këto grante.
Në fjalën hyrësi, ministri Blerand Stavileci ka thënë se Komisioni Evropian ka qenë dhe vazhdon të jetë edhe më tutje ndihmëse e madhe e sektorit të bujqësisë. Fillimi i këtij sesioni informativ për skemën e ndarjes së granteve dhe subvencioneve, ka nënvizuar tutje ministri Stavileci, po hap një epokë të re për zhvillimin e bujqësisë në vend.
Më pas ministri Blerand Stavileci ka theksuar se projekti synon përkrahjen e zhvillimit dhe modernizimit të tre nënsektorëve të bujqësisë, siç është përpunimi i qumështit, mishit dhe pemëve e perimeve.
Programi do të përkrah shfrytëzimin e mes produkteve, prezantimin e prodhimeve me vlerë më të lartë të shtuar, ngritjen e depove ftohëse, prezantimin e sistemeve HACCP për menaxhimin e sigurisë së ushqimit, tregtimin e përmirësuar dhe etiketimin e prodhimeve të përpunuara ushqimore dhe freskimin e linjave të prodhimit dhe pajisjeve për të plotësuar standardet e BE-së, përfshirë modernizimin e pajisjeve për kontroll të cilësisë.
E gjithë kjo, është në pajtim me Planin për Zhvillim Rural dhe Bujqësor 2009 2013, saktësisht me masën 4 të kësaj strategjie, ka thënë ndër të tjera ministri Stavileci.
Në takim është potencuar edhe qëllimi specifik i përmirësimit të standardeve të përpunimit dhe tregtimit, higjienës, cilësisë dhe sigurisë së ushqimit dhe mbrojtjes së mjedisit në industrinë e përpunimit të qumështit, mishit, pemëve dhe perimeve për të përforcuar aftësitë konkurruese të sektorit të bujqësisë dhe zhvillimit rural, duke shtuar hisen e tregut dhe besimin e konsumatorëve në prodhimet vendore.
Shuma e përgjithshme treguese për këtë Thirrje për Aplikim është propozuar të jetë 5.000.000 , kurse shuma minimale e shfrytëzuesve nga Autoriteti Kontraktues rezervon të drejtën për të mos dhënë të gjitha fondet në dispozicion. Mirëpo, madhësia e granteve për cilindo grant të dhënë në bazë të kësaj Thirrjeje do të jetë në mes 200.000 deri në 500.000.
Afati i fundit për aplikim është data 15 gusht 2010, deri në orën 16,00 në të gjitha zyrat rajonale të MBPZHR, ashtu siç është theksuar në shpalljet publike.