KDI: Prokurimi në MBPZHR me plotë parregullsi
Prishtinë, 22 shkurt - Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) / Transparency International Kosova (TIK), në kuadër të projektit Transparenca dhe Llogaridhënia në Prokurimin Publik, ka publikuar Raportin Analitik për prokurimin publik dhe shpërndarjen e granteve dhe subvencioneve në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR).
Besnik Ramadani nga KDI/TIK ka thënë së raporti përbëhet nga të gjeturat e monitorimit dhe hulumtimit nga KDI/TIK, si dhe nga hulumtimi rreth mënyrës së shpërndarjes së granteve dhe subvencioneve.
Hulumtimi për prokurimin publik është realizuar përmes përzgjedhjes së 11 tenderëve të periudhës mars 2011 - mars 2012, ndërsa përzgjedhja është bërë sipas shumës së vlerës dhe llojit të prokurimit.
Përderisa në vitin 2011 buxheti i MBPZHR-së ishte 13,725,746 , në vitin 2012 ky buxhet është ngritur në 21,409,230 Euro, prej të cilave 7,919,205 kanë qenë për shpenzime kapitale, 8,400,000 Euro për subvencione dhe transfere dhe 3,023,554 për mallra dhe shërbime.
Sa i përket Prokurimit Publik, pagesave direkte (subvencione) dhe projekteve të zhvillimit rural (granteve), MBPZHR sipas KDI/TIK përballet me sfida të ndryshme.
"Të gjeturat në Prokurim Publik për këtë ministri përfshijnë mosrespektimin e afateve kohore tek njoftimet për kontratë, mungesa e nënshkrimit të Sigurisë së Ekzekutimit, gabime apo ndërrime të numrit të tenderëve, nënshkrimi i raportit të vlerësimit dhe kontratës në të njëjtën ditë, etj", ka theksuar Ramadani.
Për disa nga këto të shkelura kjo ministri është ndëshkuar nga organet kompetente. Raporti po ashtu thotë së të gjeturat e mësipërme rrisin dyshimin për keqpërdorime dhe zvogëlojnë mundësinë e qasjes për hulumtim të dokumenteve të ndryshme.
Në tenderin Servisimi dhe riparimi i traktorëve të IBK-së kontrata dhe raporti i vlerësimit janë nënshkruar në të njëjtën ditë, duke mos respektuar afatin kohor për ankesa në OShP.
Ramadani thotë se ka edhe raste të tjera kur afatet kohore nuk janë respektuar, duke përfshirë edhe tenderin Ndërtimi i pragut të pendës dhe kanalit.
Mungesa e nënshkrimit të pjesës VI të Kontratës, Siguria e Ekzekutimit, në tenderë të caktuar është një e gjetur tjetër. Bëhet fjalë për dy tenderë me vlerë të madhe dhe dy tenderë me vlerë të mesme të paraqitur në raport.
Këto lëshime sipas tij tregojnë analizim jo adekuat të kontratës nga zyrtarët e MBPZHR-së si dhe operatorët ekonomikë të kontraktuar.
"Pasojat e mos nënshkrimit të sigurisë mund të rezultojnë me probleme gjatë zbatimit të kontratës, gjobitje eventuale, dhe përfundimisht mos kryerjes së punëve me kohë me humbje buxhetore", ka theksuar me tej ai.
Ndërkohë, sa u përket kritereve, operatorët ekonomikë siç ka thënë Ramadani dyshojnë se në praktikë manipulohet me kritere, duke ia përshtatur ato operatorëve ekonomikë të caktuar, dhe nuk ka transparencë të mjaftueshme për përputhshmërinë e ofertave me këto kritere përzgjedhëse.
Po ashtu, ata në përgjithësi kritikojnë autoritetin kontraktues edhe për mosrespektim të kritereve në proceset e përzgjedhjes.
Sa i përket transparencës, MBPZHR ka treguar gatishmëri në sigurimin e dokumentacionit dhe ofrimin e informatave.
Megjithatë, mungesa e kapaciteteve të mjaftueshme në departamentin e prokurimit publik është e theksuar.
Përvoja monitoruese dhe hulumtuese dëshmon mungesën e të dhënave ligjore në ueb- portali zyrtar të kësaj ministrie, që ka rezultuar në zvarritje të punës dhe shpenzim të panevojshëm kohor.
Nga ana tjetër, sa i përket hulumtimit rreth subvencioneve dhe granteve janë vënë në pah probleme të ndryshme.
Disa nga fermerët vlerësojnë se megjithëse i plotësojnë kushtet, Ministria nuk i verifikon dhe nuk u jep mundësi të mjaftueshme për ti argumentuar se i plotësojnë kushtet.
Fermerët raportojnë se në disa komuna të caktuara ata subvencionohen më shumë sesa të dhënat që ata posedojnë, sikurse rritja e numrit të hektarëve të tokës, apo edhe të numrit të bagëtive.
Fermerët janë ankuar edhe për cilësinë dhe sasinë e naftës së subvencionuar. Ndërkohë, fermerët kanë raportuar edhe për keqpërdorime të pozitës zyrtare në nivel lokal.
Një fermer ka paraqitur një rast kur i është kërkuar mito. Fermerët ankohen edhe për vonesat në ekzekutimin e pagesave nga MBPZhR edhe pse një gjë e tillë kundërshtohet nga Departamenti i Pagesave.
Fermerët ankohen po ashtu se pas refuzimit për grante apo subvencione, ankesat e tyre nuk verifikohen nëse kanë pasur të drejtë apo jo.
Në këtë rast, fermerët ballafaqohen me mungesë informatash rreth rastit të tyre, e për më keq, ballafaqohen edhe me diskualifikim për të përfituar subvencione.
Kësaj i shtohet edhe raportimi se zyrtarët në nivel lokal nuk janë të përgjegjshëm në ofrimin e informatave të sakta, në kohë dhe të drejta, sidomos në rastet kur kërkohen sqarime shtesë.
Në anën tjetër bazuar në vendimet e ankesave të shqyrtuara ka shumë raste kur fermerët nuk i deklarojnë të dhënat e tyre saktë.
Si pasojë, fermerët e perceptojnë mekanizmin e ankesës si të padobishëm, për shkak se besojnë që ankesat e tyre nuk merren parasysh. Kjo mund të vije edhe si pasojë e problemeve të regjistrave kadastralë nëpër komuna.
Fermerët ankohen dhe dyshojnë se në raste të caktuara, drejtoritë komunale për bujqësi favorizojnë fermerët edhe atëherë kur ata nuk i plotësojnë kriteret, ku mbështetja bëhet në baza familjare apo edhe partiake.
KDI/TIK rekomandon që Kontratat të nënshkruhen pas përfundimit të afatit për ankesa; MBPZhR duhet të mos bëj favorizime të kompanive të zgjedhura; Formulari i VI-të i kontratës Siguria e Ekzekutimit duhet të nënshkruhet gjithmonë; MBPZhR do të duhej përditësuar faqen elektronike në vazhdimësi; MBPZhR duhet rritur kapacitetin e burimeve njerëzore në departamente të ndryshme, e veçanërisht në drejtori komunale; MBPZhR të rrisë kontrollin në nivelin komunal; Të mënjanohen mundësitë e keqpërdorimit të pozitës zyrtare dhe të ndëshkohen ata që keqpërdorin, etj.