Kaçaniku pranoi kompetencat për mbrojtjen e pyjeve
Prishtinë, 12 korrik - Në objektin e Kuvendit Komunal të Kaçanikut sot (më 12 korrik) ështëbërë pranim-dorëzimi i kompetencave për mbrojtjen e pyjeve konform Memorandumt të Mirëkuptimit, i nënshkruar me 24 qershor nga ministri i MBPZhR-s Blerand Stavileci, ministri i MPL-së Sadri Ferati dhe Bajrush Xhemaili nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, sot kaloi edhe fazën e dytë përfundimtare.
Akti i pranim-dorëzimit të kompetencave u nënshkrua nga ministri i MBPZhR-së, Blerand Stavileci dhe Kryetari i Komunës së Kaçanikut, Xhabir Zharku.
Në fjalën e tij, ministri Stavileci tha se kjo nismë i kontribuon zhvillimit të këtij sektori dhe me hyrjen në fuqi të amandamentit të Ligjit për Pyje, kemi pasur si përgjegjësi delegimin e kompetencave në nivelin komunal.
Për më shumë, MBPZhR-ja ka formuar edhe grupin i cili do të hartojë ligjin e ri në bazë të agjendës së legjislativit të këtij viti, e që është edhe kërkesë e Komisionit Evropian.
Me këtë ligj, shtoi ministri Stavileci, do të definohen më mirë përgjegjësitë e secilit prej institucioneve dhe në të njejtën kohë, secila prej tyre do të mund të praktikojë atë që është më e rëndësishme për ta realizuar objektivin tonë kryesor, pra mbrojtjen dhe mosdegradimin e pyjeve.
Me delegimin e kompetencave te organet e pushtetit lokal, vazhdoi më tej ministri Stavileci, me ndihmën e institucioneve përkatëse dhe të gjithë aktorëve të tjerë, MBPZhR-ja do të mund më lehtë ta ketë situatën nën kontrollë, në mënyrë që ti ruaj sa më mirë pyjet.
Ndërsa, kryetari Zharku tha se çdo ditë e më shumë po marrim kompetenca nga Qeveria e Kosovës dhe po ashtu, edhe kjo marrëveshje me MBPZhR-në ishte e pritur, kurse delegimin e kompetencave e quajti si mjaft të rëndësishme për zhvillimin e pushtetit lokal, duke shtuar se me marrjen e kompetencave për mbrojtjen e pyjeve, edhe përgjegjësitë tona do të jenë më të mëdha.
Sipas kësaj marrëveshje, përveç konfiskimit të masës drusore nga organet kompetente komunale është paraparë edhe inkasimi i të hyrave nga dhënia e lejeve, në pajtim me paragrafin e theksuar në memorandum. Ndërsa, shërbimi komunal i mbrojtjes së pyjeve është i obliguar që autoritetit kompetent (AKP-së), ti dërgojë raporte mujore për fushëveprimtarinë e këtij shërbimi.