Investohet në prodhimtarinë e mishit
Prishtinë, 3 mars Për herë të parë, Ministria e Bujqësisë, sivjet po investon edhe në sektorin e mishit. Për të shtuar kapacitetet prodhuese në këtë industri, kjo ministri ka ndarë një fond prej 700 mijë eurosh, përmes të cilit do ta përkrah trashjen e viçave dhe rritjen e zogjve për mish, duke investuar në ndërtimin e fermave për majmëri dhe në përmirësimin dhe modernizimin e infrastrukturës përcjellëse në fermat ekzistuese.
Përveç shtimit të prodhimtarisë në këtë sektor, zyrtarë të kësaj ministrie thonë se gradualisht synojnë ta arrijnë edhe zëvendësimin e produkteve të importit me produktet e mishit.
Zëdhënësi i Ministrisë së Bujqësisë, Adil Behramaj, tregon se investimet kryesisht ndërlidhen me kompletimin e infrastrukturës së brendshme të fermave që merren me rritjen e bagëtisë dhe brojlerëve për mish.
Investimet e pranueshme ndërlidhen me përmirësimin e infrastrukturës, rregullimin e sistemit të ushqimit, ujit, ventilimit, ndriçimit dhe ngrohjes.
Pastaj, me deponitë për silazh, për plehra, për ushqim voluminoz dhe për nevoja të tjera fermerëve që janë aktiv në këtë fushëveprimtari. Kufiri më i lartë i investimeve të pranueshme në ndërtimin e stallave për majmërinë e viçave dhe rritjen e brojlerëve, arrijnë deri në 25 mijë euro, thotë zëdhënësi Behramaj.
Ai tregoi se periudha për aplikim është hapur në Ministrinë e Bujqësisë dhe fermerët që aplikojnë për të përfituar grante investive për trashjen e viçave dhe prodhimtarinë e brojlerëve, duhet që të jenë të regjistruar si fermerë në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës, të kenë kafshë me matrikuj të Kosovës, të dëshmojnë se posedojnë së paku 0,3 hektarë tokë bujqësore, të kenë dëshmi mbi vlerësimin e ndikimit mjedisor ata që aplikojnë për ferma me mbi 10.000 zogj, etj.
Aktualisht industria e mishit të viçit është më shumë nënprodhim i industrisë së qumështit, sepse vetëm pak ferma janë përqendruar në majmëri me numër relativisht të vogël të krerëve.
Mishi i kuq, sidomos ai i viçit është prodhim më i popullarizuar dhe ofron mundësi reale për zëvendësimin e importit.
Kjo prodhimtari karakterizohet me therjen e hershme të krerëve dhe shumica e viçave të therur janë më të ri se 8 muaj dhe kjo ekonomikisht nuk është shumë efikase.
Gjithashtu, edhe prodhimi e mishit të pulës aktualisht është më i bazuar në pula që janë të destinuara për prodhimin e vezëve dhe në pulat e ekonomive familjare.
Me prodhimtarinë e brendshme në industrinë e mishit, vlerësohet se arrihet të përmbushen rreth 50 për qind të nevojave të përgjithshme konsumuese në Kosovë.