Investitorët frikësohen nga zjarret e shpeshta në Kosovë
Gjakovë, 14 mars - Një delegacion i Aleancës Kosovare të Bizneseve i kryesuar nga kryetari Agim Shahini dhe nga kryetari i Zyrës regjionale të Dukagjinit në Gjakovë Argjend Fetahu dhe Dafina Kazazi , kanë vizituar qendrën tregtare Viva fresh në Gjakovë, e cila është përfshirë nga një zjarr ditë më parë, duke i shkaktuar dëme të mëdha.
Gjatë vizitës përfaqësuesit e AKB-së i kanë dhënë mbështetje që kjo qendër sa më shpejt të kthehet në funksion, pasi që humbjet çdo ditë nga mos funksionimi rriten.
Kryetari i AKB-së, tha se ndihen të shqetësuar nga kjo fatkeqësi e cila i ka ndodhur kësaj qendre tregtare, e cila tash disa ditë nuk po funksion dhe e cila ka shumë të punësuar dhe po ashtu shumë prodhues e tregtarë që përfitojnë nga këtu.
Sipas tij kjo është një humbje e madhe milionëshe për pronarët e kësaj kompanie gjigante ekonomike e cila çdo ditë e më shumë po zgjerohet.
“AKB-ja, inkurajon këtë biznes që të mos ndalet, por të vazhdoi rritjen e saj, sepse tashmë ky gjigant ekonomik, ndikon në imazhin dhe rritjen ekonomike të Kosovës”, tha Shahini.
Ai i kërkoi nga institucionet përkatëse që të gjejnë shkaktarët e zjarrit sa më shpejt dhe se qendra tregtare të rifunksionalizohet në një afat sa më të shkurtër kohor, me qëllim që të mos ketë humbje nga mos funksionimi.
“Humbjet nga mos puna e kësaj kompanie do të jenë edhe më të mëdha, jo vetëm për Vivën, por edhe për punëtorët, prodhuesit e tregtarët”, tha Shahini.
Kryetari i AKB-së, shtoi se zjarri po i mbyt dhe falimenton shumë biznese në Kosovë. Qendrat tregtare duhet të gjejnë alternativa për të shtuar masat e sigurisë, por duke i siguruar objektet mallrat dhe të gjitha asetet të cilat në rast të këtyre ta fatkeqësive do të mbulon nga kompanitë e sigurimeve.
“Zjarret në Kosovë, janë bërë fenomen dhe kjo po i frikëson edhe investitorët e huaj që të vijnë në vendin tonë për të investuar. Kemi raste ku shumë biznese nuk kanë mundur që të përballen me humbjet e shkaktuar nga zjarret dhe kanë falimentuar’, tha Agim Shahini.