Investimet zgjerojnë sipërfaqet në hortikulturë
Në Ministrinë e Bujqësisë thonë se çështjet tregtare dhe problemet tregtare nuk janë fushëveprim i kësaj ministrie, ndërsa për zgjerimin e sipërfaqeve të reja në pemishte, vreshta dhe sipërfaqeve të reja në perimkulturë, tregojnë se deri më tani kanë investuar mbi 4 milionë euro. Zëdhënësi i kësaj ministrie, Adil Behramaj, thotë se krahas zgjerimit të sipërfaqeve të reja, me këto investime po tentojnë që në njërën anë të zëvendësojnë importin me prodhimet vendore dhe në anën tjetër të shtojnë prodhimtarinë dhe të rrisin edhe eksportin e këtyre prodhimeve në vendet e rajonit. Me investimet e ministrisë, deri më tani kemi ngritur 191 serra të reja, 221 ngastra me pemishte dhe 471 ngastra me vreshta të reja.
Por, kemi investuar gjithashtu edhe në infrastrukturën përcjellëse dhe mekanizmin bujqësor tek shumë ferma që veprimtari kryesore e kanë hortikulturën dhe janë mbi 1 mijë projekte që kemi përkrahur deri më tani në sektorin e hortikulturës, tha Behramaj.
Ai thotë se prioritet për Ministrinë e Bujqësisë lidhur me hortikulturën është krijimi i mundësive për të realizuar vjelje të hershme, që fermerët të dalin më herët në treg me prodhimet e tyre, si dhe rritja e qëndrueshmërisë dhe zgjatja e jetës së prodhimtarisë sezonale për furnizimin e tregut edhe jashtë pikut sezonal.
Kosova ka kushte shumë të favorshme për zhvillimin e këtij sektori thonë edhe fermerët, pasi që, sipas tyre, hortikultura dallon për nga potenciali zhvillimor me sektorët e tjerë.
Xhavit Mulaj nga fshati Llukë e Epërme të komunës së Deçanit, i cili është kultivues i materialit fidanor të dredhëzës, tregon se përmes granteve që ka përfituar, ka arritur që ti zgjerojë sipërfaqet e mbjella me këto fidane. Me grantin që kam fituar kam arritur që ti shtojë sipërfaqet e mbjella me fidane të dredhëzës, ndërsa në të njëjtën kohë kam ngritur edhe një serrë, e cila më ka mundësuar që këto fidane ti kultivojë edhe gjatë kohës kur temperaturat janë më të ulëta, thotë Mulaj.
Ai tregon se prodhimet e tij kanë arritur të depërtojnë edhe në tregun e Shqipërisë, ku tash ai ka ngritur edhe një fidanishte të dredhëzës në këtë vend, por ankohet për produktet e importit në tregun vendorë. Po ballafaqohemi me vështirësi gjatë plasimit të prodhimeve tona në tregun vendorë, krejt kjo për shkak të importimit të prodhimeve nga vendet e rajonit, tha ai. Ndërsa, zëdhënësi i Ministrisë së Bujqësisë thotë se është ekonomi e lirë e tregut dhe në secilën veprimtari tregtare, problemi kryesor është gjetja, zgjerimi dhe mbajtja e tregjeve dhe në këtë aspekt probleme ka secili biznes. Problemet tregtare rëndojnë edhe mbi agrobiznese dhe fermerë, por Ministria e Bujqësisë me politikat e saj është e fokusuar në rritjen e prodhimtarisë bujqësore dhe nuk harton politika fiskale apo tregtare. Dikasteret qeveritare i kanë kompetencat e ndara dhe ne vetëm mund të japim propozime, mirëpo nuk i mbulojmë këto fusha, tha Behramaj.
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, gjatë këtij viti ka miratuar edhe 246 projekte të reja të fermerëve në sektorin e hortikulturës, të cilat do ti mbështes me mbi 1.3 milionë euro.(Epoka e re)