23 Dhjetor 2024

Investimet të orientohen në zonat e thella rurale

Bruksel, 12 korrik - Vendet e Ballkanit Perëndimor, vazhdojnë të përballen më mungesën e investimeve në zonat e thella rurale dhe me largimin e të rinjve nga këto zona.

Për të evituar këto probleme dhe për të nxitur zhvillimin ekonomik rural, vendet e rajonit duhet të rrisin bashkëpunimin dhe të koordinojnë programet e tyre bujqësore për periudhën 2014-2020, në harmoni me programet e Bashkimit Evropian.

Kështu është shprehur ministri i Bujqësisë, Blerand Stavileci, në takimin joformal të shteteve të rajonit për zhvillimin rural në BE, i cili aty ishte edhe në cilësinë e kryesuesit të Presidencës së Grupit Punues të Përhershëm për Zhvillim Rural Regjional në Evropën Juglindore.

Gjatë këtij takimi, ministri Stavileci ka informuar Grupin e Përhershëm Punues dhe zyrtarët e BE-së për iniciativat e nisura për zhvillimin ekonomik të zonave rurale ndërkufitare, ku sipas tij tashmë janë iniciuar edhe planet për zbatimin e disa veprimeve nga të gjitha shtetet e përfshira në këtë grup.

“Njëra prej problemeve më kritike me të cilat ballafaqohen vendet e Ballkanit Perëndimor është  mungesa e investimeve në zonat e thella rurale, ku varfëria dhe mungesa e këtyre investimeve po bën që të largohen të rinjtë nga këto zona. Këto probleme në veçanti janë kritike në zonat kufitare në regjionin e Ballkanit Perëndimor”, tha ministri Stavileci, njëherësh edhe kryesues i takimit.

Krahas kësaj, ai ka shfrytëzuar rastin që gjatë këtij takimi të diskutojë edhe për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe ka prezantuar edhe të arriturat e deritashme rreth përafrimit të bujqësisë kosovare me atë evropiane.

Në anën tjetër, komisioneri për zhvillim rural, Dacian Ciolos, tha se për zhvillimin e zonave rurale duhet të angazhohen të gjitha shtetet.

“Pjesëmarrja lokale e të gjithë akterëve kyç, në veçanti e shoqërisë civile është shumë me rëndësi për zhvillim të qëndrueshëm rural dhe të bujqësisë”, tha Ciolos.

Ndryshe, ky takim ishte organizuar nga Partneriteti i Rrjetit Rural Evropian, Komiteti Ekonomik dhe Social, si dhe nga komisioneri për Bujqësi dhe Zhvillim Rural në BE, Dacian Ciolos.



 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)