Investimet në bujqësi do të rriten të pemët, perimet, mishi e qumështi
Prishtinë, 7 qershor - Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, ka pritur sot në një takim një delegacion nga Millennium Challenge Corporation (MCC) - Washington.
Ministri Krasniqi i njoftoi ata për zhvillimin e bujqësisë deri më tani, të arriturat dhe sfidat duke theksuar se progresi është i madh dhe që ka ndikuar dukshëm në ekonominë e vendit dhe hapjen e vendeve të reja të punës.
Ministri i njoftoi ata me skemat mbështetëse të ministrisë për fermerët.
Ai ritheksoi se investimet në bujqësi do të rriten dhe do të ketë orientim në nën sektorë strategjikë siç janë pemët, perimet, mishi, qumështi ku edhe përfitimet për fermerët janë më të mëdha.
Gjithashtu ai përmendi plane të reja, siç është shfrytëzimi i tokës së pa privatizuar bujqësor për investime strategjike.
Ministri Krasniqi tha se edhe pyjet janë një potencial i mirë për ekonominë. Për këtë ai tha se po punohet në një ligj të ri që do të ofrojë mundësi më të mirë shfrytëzimi për qëllime ekonomike por edhe një menaxhim më të mirë të tyre.
Ai ka përmendur se tri nga sfidat kryesore të bujqësisë janë, fragmentarizimi i tokave, mungesa e sistemeve të ujitjes dhe infrastruktura rurale e limituar.
Në takim u bisedua edhe për tema të ndryshme që lidhen me zhvillimin e sektorit dhe një financim me të gjerë publik dhe privat.