Intensifikohen aktivitetet për përmirësimin e ushqyeshmërisë
Prishtinë, 22 qershor - Organizuar nga Grupi për Çrregullimet nga Pamjaftueshmëria e Jodit dhe Mikronutrientëve dhe nga Zyra e UNICEF-it në Kosovë, në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministrinë e Shëndetësisë sot në Prishtinë u mbajt punëtoria-takimi për prezantimin e gjendjes rreth mungesës së mikronutrientëve në ushqim dhe planin për pasurim të miellit me acid folik.
Qëllimi kryesor i takimit ishte avokimi i mëtejmë për përmirësimin e gjendjes nutritive dhe shëndetësore të popullatës përmes njërës nga intervenimet si pasurimi i miellit me acid folik dhe hekur si dhe diskutimi i planit për pasurimin e miellit dhe përcaktimi i detyrave, prioritete për adresimin e çështjeve specifike që kanë të bëjnë lidhur me eliminimin e deficiencave mikronutritive në ushqim.
Blerand Stavileci, Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, tha se është inkurajues fakti që bashkëpunimi në çështjen e pasurimit të miellit me acid folik po vërehet midis institucioneve dhe subjekteve të tjera, ndërsa theksoi se tashmë ekziston Projektligji për pasurimin e miellit, i cili është në agjendën e sivjetme legjislative të MBPZHR.
Naim Fetahu, Zëvendësministër i Shëndetësisë, tha se Ministria e Shëndetësisë, mbetet e përkushtuar që të përkrah punën e mëtejme të Grupit për Çrregullimet e pamjaftueshmërisë së Jodit, ashtu që të arrihen standardet e përcaktuara nga OBSH-ja lidhur me ushqyeshmërinë.
Të vetëdijshëm se ushqyeshmëria joadekuate është një nga shkaqet e gjendjes joadekuate shëndetësore në Kosovë, dhe këto mungesa prekin më së shumti grupet më të ndjeshme siç janë shtatzënat dhe fëmijët, MSh, i ka dhënë prioritet të veçantë në politikë-bërjen e saj, zvogëlimit të vdekshmërisë dhe sëmundshmërisë së popullatës, tha ai.
Johanes Wedenig, shef i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë e vlerësoi si shumë substanciale praninë e mikronutrientëve në vlerat e kërkuara në ushqimin e nënave dhe fëmijëve. Duke bërë një krahasim midis shtëpisë që përveç betonit ka nevojë në ndërtimin e saj edhe për fijet e armaturës që i japin qëndrueshmërinë, Wedenig, tha se edhe organizimi i njeriut, ka nevojë për mikronutrientët e duhur, prania e të cilëve i jep qëndrueshmëri organizimit dhe e mbron atë nga sëmundje e çrregullime të ndryshme.
Një prezantim lidhur me gjendjen me mikronutrientë dhe luftimin e çrregullimeve të pamjaftueshmërisë së jodit e ka bërë dr. Tahire Gjergji-Maloku, udhëheqëse e Grupit për ÇPJ, e cila ka theksuar se sa i përket furnizimit të kripës së jodizuar në Kosovë është një gjendje adekuate e ushqyeshmërisë si tek fëmijët e moshës shkollore, ashtu edhe tek shtatzënat, ndërkohë që ka nevojë të punohet më shumë për eliminimin e anemive të lehta te këto dy kategori, përmes pasurimit të miellit me hekur dhe acid folik.
Dr. Agron Gashi, zyrtar për nutricion në UNICEF, gjithashtu ka prezantuar një pasqyrë lidhur me rëndësinë dhe nevojat e pasurimit të miellit.
Në takim kanë marrë pjesë edhe anëtarë të Komisionit Parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Komisionit për Bujqësi, Pylltari dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor, zyrtarë të tjerë, Shoqata e Mullistëe të Kosovës, OJQ , etj.