Indeksi vjetor i çmieve në bujqësi ka rënie për 2.1 për qind
Prishtinë, 29 shkurt - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Indeksin e Çmimeve të Inputeve dhe Çmimet në Bujqësi 2010-2015.
Publikimi përfshin të dhëna për periudhën janar - dhjetor 2010/2015. Publikimi bazohet në çmimet e inputeve bujqësore, të grumbulluara në Kosovë.
Grumbullimi i çmimeve është kryer në barnatoret bujqësore, farmacitë veterinare, në kompani, tregje dhe vende të tjera, ku çmimet e inputeve bujqësore janë në dispozicion. Disa çmime të inputeve bujqësore janë marrë nga çmimet e konsumit (IÇK) nga ASK-ja.
Produktet, të cilat e përbëjnë bazën për Indeksin e Çmimit të Inputeve janë të ndara në dy grupe kryesore: Mallrat dhe shërbimet aktualisht të konsumuara në bujqësi (Input 1) dhe Mallrat dhe shërbimet që kontribuojnë në investimet në bujqësi (Input 2).
Brenda grupit të Input 1, çmimet grumbullohen sipas grupeve në vijim: farëra dhe material mbëltues, energji, vajra, plehra dhe përmirësues të tokës, produkte për mbrojtjen e bimëve dhe pesticide, shpenzime për veterinari, lëndë për ushqimin e kafshëve, mirëmbajtje e materialeve, mirëmbajtje e ndërtesave, si dhe mallra dhe shërbime të tjera.
Sa i përket Input 2, çmimet grumbullohen për: materiale (makineri dhe pajisje të tjera), ndërtesa të tjera (ndërtesat jo-rezidente të fermës, punët e tjera përveç përmirësimit të tokës).
Indeksi vjetor i inputeve në vitin 2015 ka rënie për -2.1% për Input 1 krahasuar me periudhën e njëjtë të viti 2014. Indeksi për Input 2 është rritur për 5.2% ndërmjet viteve 2015 dhe 2014. Indeksi i inputit të përgjithshëm (Input 1+Input 2), gjithashtu është rritur për 0.7%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2014.
Kurse, Indeksi Vjetor i Inputeve në vitin 2015 është rritur për 18.3% për Input 1, krahasuar me vitin 2010. Indeksi për Input 2 është rritur për 10.0% ndërmjet viteve 2010 dhe 2015. Indeksi i Inputit të Përgjithshëm (Input 1 + Input 2) është rritur, gjithashtu, për 14.9 %, krahasuar me vitin 2010.