Indeksi i përgjithshëm i prodhimeve bujqësore ka rritje për 2.57për qind
Prishtinë, 9 shkurt - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Indeksin e Çmimeve të Prodhimeve dhe Çmimet në Bujqësi“ për tremujorin e katërt (TM4 2017).
Për të bërë krahasime dhe për t'i vërejtur ndryshimet janë prezantuar të dhëna për tremujorët e katërt të viteve 2010-2017 dhe për vitin bazë 2010.
Ky publikim është i bazuar në grumbullimin e çmimeve të prodhimeve bujqësore vendore në Kosovë.
Grumbullimi i të dhënave është bërë nëpër tregje, ferma dhe në vende të tjera, ku çmimet e prodhimeve bujqësore mund të grumbullohen.
Prodhimet, që krijojnë bazë për indeksin e çmimeve të prodhimeve bujqësore janë ndarë në dy grupe kryesore: Prodhimet bimore dhe blegtorale.
Në kuadër të prodhimeve bimore, çmimet janë grumbulluar për këto grupe: drithëra, bimë foragjere, perime, patate dhe pemë.
Në prodhimet blegtorale çmimet janë grumbulluar për blegtorinë dhe prodhimet blegtorale.
Në kuadër të blegtorisë, çmimet grumbullohen për katër kategori të kafshëve: gjedhe, dele, derra dhe pula. Këto çmime janë bazuar në peshën e gjallë të kafshëve.
Në kuadër të prodhimeve blegtorale çmimet janë grumbulluar për: qumësht, vezë dhe mjaltë. Të gjitha çmimet janë llogaritur në Euro dhe njësitë matëse janë në kg, litër dhe copë.
Në tremujorin e katërt të vitit 2017, indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale ka rritje për 0.79 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2016, kurse indeksi i çmimeve të prodhimeve bimore ka rritje për 4.41për qind.
Pra, indeksi i përgjithshëm i prodhimeve bujqësore ka rritje për 2.57 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2016.